E Diel, 1 Nëntor 2026

"Po fituam, i nxjerrim halle Shqipërisë"

Ardian Lulgjuraj së bashku me Bledar Sejko, janë fituesit e Festivalit të këngës në RTSH, dhe me këngën e tyre “Identitet” do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurosong 2013.

Lidhur me garën e sivjetme evropiane, Lulgjuraj duket të jetë shumë optimist.

“Të them të drejtën, unë i kam dëgjuar disa prej këngëve që konkurrojnë në Youtube dhe besoj se ne jemi pretendentë. Vetëm se, po fituam do t’i nxjerrim halle Shqipërisë, se duhet të bëjë shpenzime për të bërë këtu festivalin europian”, ka thënë ai duke bërë shaka.

“Sinqerisht, jam shumë pozitiv, edhe pse di që kam një përgjegjësi të madhe. Është tejet e rëndësishme që edhe vetë publiku shqiptar ta ndjejë këtë përgjegjësi, ta pranojë, ta dojë këtë këngë dhe ta mbështesë atë. Duhen lënë mënjanë të gjitha dyshimet. Vetëm me mbështetjen e vetë shqiptarëve ne do të mundemi të paraqitemi denjësisht e pse jo, të pretendojmë fitore. Unë çdo ditë po marr shumë mesazhe urimi e mbështetje. Këtë e vlerësoj dhe përfitoj nga rasti për t’i falenderuar të gjithë.” ka shtuar Lulgjuraj, duke treguar se në vazhdimesi pranon mesazhe në Facebook edhe nga të huaj, nga Bullgaria, Spanja, Italia, të cilët e pëlqejnë këngën dhe e vlerësojnë zgjedhjen që bëri juria.

Ardian Lulgjuraj ka lindur në Tivar të Malit të Zi. Shkollën fillore e të mesme i ka kryer në Ulqin, ndërsa shkollën e lartë e ka mbaruar në Prishtinë, ku është diplomuar në juridik. Edhe sot vazhdon të jetoj në Ulqin. Rrugës së këngës i ka hyrë për hobi në moshën 26-vjeçare dhe ka kënduar për pasion. Pas katër vitesh filloi ta shoh muzikën si profesion dhe ka kënduar live nëpër klube të ndryshme. Si fillimin e karrierës cilëson pjesëmarrjen në “Top Fest”, ku u vlerësua me çmimin “Best New Artist”./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›