"Remzi Hoxha", zhduket një nga të dyshuarit si rrëmbyes
TIRANE-Zhduket" një nga dëshmitarët kyç të procesit penal ndaj tre ish-shikasve të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin me pasojë zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Riza Fisnik Shehu, ish-oficer i SHIK-ut, i cili sipas prokurorisë ka marrë pjesë në rrëmbimin e biznesmenit Hoxha 14 vjet më parë, ka refuzuar të vijë për të dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në gjyqin ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Prej më shumë se tre muajsh prokurori i çështjes kishte kërkuar nga gjykata të thirrej për të dëshmuar ish-oficeri i SHIK-ut, Riza Shehu, i cili ka dijeni të plotë për rrethanat e ngjarjes. Trupi gjykues kishte dërguar fletëthirrjet, por policia deklaronte se Riza Shehu ndodhej me banim në Amerikë prej shumë vitesh. Pas insistimit të prokurorisë u vërtetua se Riza Shehu kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe muajt e fundit kishte udhëtuar drejt Italisë. Pak ditë më parë ai kishte mbërritur në Shqipëri për shkak të një fatkeqësie familjare dhe i kontaktuar nga oficerët e policisë gjyqësore, ai kishte firmosur fletëthirrjen e gjykatës për t'u paraqitur në proces. Por vetëm dje Riza Shehu ka "fluturuar" drejt Italisë, duke refuzuar në këtë mënyrë gjykatën dhe duke tentuar t'i shmanget drejtësisë për të deklaruar gjithçka di për ngjarjen e 21 tetorit 1995, kur Remzi Hoxha u mor peng në zyrën e tij në rrugën "Siri Kodra", për fatin e të cilit nuk u mësua asgjë. I ndodhur përballë një fakti të tillë, prokurori i çështjes, Xhevat Hana i ka kërkuar gjykatës ta pyesë Riza Shehun përmes një letër-porosie dërguar në shtetin fqinj Itali ku dhe ai ndodhet, pasi e konsideron dëshminë e tij si mjaft të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes. Remzi Hoxha u mor peng 14 vjet më parë dhe mendohet se u torturua në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)