E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Romeo dhe Zhulieta" sonte ne Teatrin e Metropolit

TIRANE- Shfaqja "Romeo dhe Zhulieta" është e para premierë që do të inaugurojë sallën e re të Teatrit të Metropolit "Shekspir". Kjo shfaqje, po ashtu edhe salla, e cila do të përurohet më datë 3 mars, përkon me trevjetorin e krijimit të Teatrit të Metropolit. Salla "Shekspir", nga brenda është e ngjashme me Teatrin Globus në Londër, me një kapacitet prej 300 vendesh dhe tetë ballkone. "Romeo e Zhulieta", që do të shfaqet nga data 3 deri më 10 mars, në orën 20:00, do të vihet në skenë nga regjisori Kiço Londo, njëkohësisht drejtori i Teatrit të Metropolit, nën interpretimin e aktorëve Lulzim Zeqja (Romeo), Esela Pysqyli (Zhulieta), Adriana Tolka, Ervin Bejleri, Florind Belliu, Besmir Bitraku, Xhejni Famës, Florian Agalliu etj. Kostumet nga Blerina Kokona, koreografia nga Aledia Kondaj, ndërsa në rolin e as/regjisorit, Endri Çela. Sipas Londos, "Romeo e Zhulieta" është përpjekje për të prezantuar në skenë jo një çift të rinjsh të dashuruar dhe ëndërrimtarë, por një grup aktorësh me mjeshtëri të lartë, të aftë dhe të pjekur, që për rreth dy orë do të tregojnë se sa shumë e duan Shekspirin, se sa shumë e dashurojnë veprën, sa shumë vuajnë dhe rrinë pagjumë për të. "Dashuria dhe vdekja, të cilat janë në thelb të shfaqjes sonë, janë dy gjëra të lidhura. Psikika njerëzore merr jetë nga dy impulse kontradiktore, impulsi i jetës, eros - forca dhe dëshira seksuale për t'u riprodhuar dhe impulsi i vdekjes, thanatos - dëshira për shkatërrim dhe për t'u shpërbërë. Në shfaqjen e Metropolit, dashuria e ka brenda saj katastrofën. Në shfaqjen tonë ka një tentativë për t'iu përgjigjur pyetjes: Zgjedh vdekja dashnorët, apo zgjedhin dashnorët vdekjen? Fundi është tragjedi, apo arritje e qëllimit? Humbën njëri-tjetrin, apo fituan njëri-tjetrin përjetësisht?" - tregon regjiso-ri Londo. Pas kësaj vepre, salla "Shekspir" do të presë të tjera shfaqje.

(d.b/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›