"Të rinjtë shfrytëzohen vetëm për fushata"

Ermal Merdani së fundmi është bërë pjesë aktive e politikës.
Ai është kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokristiane dhe shpjegon arsyet që e bënë pjesë të kësaj force politike, por edhe idealet që ai synon të realizojë në programin e kësaj force për të rinjtë.
"Unë jam zgjedhur kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokristiane, e cila ka kryetar të saj Nard Ndokën. Kam rreth një muaj që e kam marrë këtë pozicion dhe është diçka shumë e rëndësishme për mua. Jam i lumtur për këtë gjë. Unë bashkë me kolegët e mi të Forumit tani po bëjmë një platformë që do të ketë si qëllim afrimin e të rinjve që janë të zhgënjyer nga forumet e tjera politike, por dhe ata që janë jo të përfshirë në politikë", ka thene ai per "Mapo".
Duke dhene arsyet pse duhet të besojnë të rinjtë apo bashkëmoshatarët e tij qe ata jane ndryshe, Ermali ka thene:
"Forumi ynë është një forum që ka hapësirë veprimi dhe ka një pavarësi nga partia kryesore. Kjo tregon një demokraci të brendshme që ne kemi si parti. Ne nuk veprojmë si forumet e tjera që janë në shërbim të kryetarëve apo interesave të caktuara, ku e dimë që këto forume shfrytëzohen vetëm për fushatë apo dhe për protesta të caktuara. Ne do të sjellim një frymë të re veprimi që do jetë shembull për të gjitha forumet rinore. Unë do iu bëja thirrje të rinjve që Forumi Rinor i Partisë Demokristiane është një derë e hapur për të gjithë dhe një mundësi e mirë." /Indeksonline/