"Turp, nëse nuk kemi shpagim për fëmijët e vrarë në Gërdec!"
Me keqardhje dhe ngushëllim e pohoj, për çka ndodhi, sidomos për familjet e viktimave të gjithë asaj zone, me njerëz të mrekullueshëm e punëtorë, po ajo ishte vërtetë një 11 Shtator.
Atje kriminelët përdorën avionët, për të treguar "çmendurinë" e tyre anti-njerëzimit, në Gërdec, demonstrohet papërgjegjësia e qeverisë sonë, papërgjegjësi që na kushton shumë. Jo vetëm për ato jetë njerëzish marrë dhe dëmet materiale, që për ne shqiptarët janë të pallogaritshme, por, së pari, se na vranë atë imazhin tonë të një vendi paqësor dhe aspiratën tonë njerëzore.
Nuk duhet quajtur rastësi apo aksident ajo që ndodhi, kur po bëjmë deri sakrificat më të fundit për t'u pranuar vendi ynë në familjen e madhe europiane dhe në sistemin e mbrojtjes të NATO-s. Ajo është produkt i asaj qeverisjeje të mbrapshtë, terrorizëm ndaj popullit më të varfër të Europës.
Kur u hodh bomba e Hiroshimës, një poet mes gërhimave të fundit të vdekjes nga ajo masakër çnjerëzore, shkruante me "bojë gjaku": "...Qielli shembet, rruga s'duket, lumi zien-o, o, o! Në sytë e të qorruarve -zjarr!… Rënkimi njerëzor dëgjohet…ujë, ujë, ujë!".
E njëjta skenë, po njerëzit tek ne thërrasin: "Qeveri njerëzore! Qeveri njerëzore- duam!
Thirrje kjo, deri nga foshnjat në bark, të nënave viktima të kësaj keqqeverisjeje, pa asnjë mëdyshje.
Jo! Kjo nuk durohet, është dhimbje makabre nga ajo mos aftësi drejtimi, deri në papërgjegjësi të qëllimshme. Nuk është koha për llafe, Gërdeci kërkon Shpagim e për këtë, së pari, qeveria.
Çuditen të gjithë! Ku e gjejnë përfaqësuesit e shtetit tonë atë kurajo dhe fuqi, që dalin e flasin përpara popullit, si të kishin fituar një trofe fitoreje, kur përballen me lot dhe dhimbje të një populli të tërë.