E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinemaja që denoncon botën

Festivali Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut nga nesër tek "Marubi". 28 filma nga bota për herë të parë në TiranëFestivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (International Human Rights Film Festival in Albania - IHRFFA), kthehet më i sigurtë në rrjetin e 26 festivaleve ndërkombëtare të këtij lloji ku prej tre vjetësh bën pjesë. Të paktën programi e tregon këtë. Komiteti Selektiv i festivalit ka përgatitur një program me filma "të rëndë" dokumentarë dhe artistikë. Shumë dhunë për të denoncuar dhunën. Më 19-23 mars në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias "MARUBI" (AFMM), shfaqen 28 filma që vijnë nga Kanadaja, SHBA, Meksika, Japonia, Suedia, Palestina, Bjellorusia, Franca, Spanja, Anglia, Italia, Zvicra, Gjermania, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria, një pjesë e të cilëve këtë vit do të jenë të subtitruar në gjuhën shqipe.Drejtori ekzekutiv i IHRFFA-s, regjisori Kujtim Çashku, i cili së bashku me Theodore S. Orlin i pranishëm dje në prezantimin e festivalit, e themeloi atë më 2006, foli për natyrën problematike të filmave pjesëmarrës, madje denoncuese dhe për pasojë nuk kanë qenë të mirëpritur në vendet për të cilat ato flasin. Janë, si të thuash një lloj filmi "i ndaluar". "Është e natyrshme përderisa u referohen sistemeve represive dhe totalitare", tha Çashku. "Jemi mësuar t'i identifikojmë me vuajtjen të drejtat e njeriut. Ndërsa ky festival sjell në fokus gjëra që s'duhen harruar".Edhe nga Shqipëria vjen njëfarë solidariteti në këtë pikë. Përfaqësohet me "Mjekër e thinjur" e Pluton Vasit dhe "Dhimbje dhe shpresë" i Ibrahim Kasapit & Adrian Katit. I pari i referohet pasojave të regjimit të Hoxhës, ndërsa i dyti, 92 grave të dënuara, ekzekutuara dhe të internuara në atë periudhë. Pra nuk përfaqësohemi me një dokumentar denoncues dhe sipas regjisorit Çashku kemi të bëjmë me një mentalitet dhe kulturë që pengon vënien në fokus të problemeve shqiptare.
Theodore S. Orlin, president i Konsorciumit ndërkombëtar i të drejtave të njeriut i cili po kthehej në Tiranë pas udhëtimeve në Bullgari, Rumani dhe Kosovë, tha se njerëzit në vendet nga ai vinte kishin filluar të ndjenin shijen e pavarësisë apo e të qenurit të integruar në familjen evropiane, por ama kapërcimi nga një sistem totalitar në një sistem demokratik kërkon në radhë të parë të ndërrojë mentaliteti politik dhe civil që ka provuar të dy sistemet. Orlin, profesor në Universitetin e Utikës (Nju Jork) është një nga përzgjedhësit e filmave në program.Ka prodhime që tregojnë botën lindore, madje ka nga ato ku për Hiroshimën tregon një amerikane, për një burg siberian tregon një vendase por që jeton në SHBA, për Çernobilin një francez, e kështu e radhë. Pra problemet nuk i rrëfejnë vendasit.
Ceremonia e hapjes së Festivalit është nesër, 19 mars, ora 18.00, po në kinemanë "Marubi". Nata e parë hapet me dokumentarin "Revolucionet, manual përdorimi" (Francë), dokumentar që sjell në Tiranë një nga autorët, Tania Rakhmanova. Regjisorët Rakhmanova and Vincent Jauvert janë ndalur tek "revolucioni portokall" në Gjeorgji, Ukrainë dhe Serbi. Nëpërmjet "bërësve" të këtyre revolucioneve, këshilltarëve dhe mbështetësve të tyre filmi shpjegon rrugën nëpër të cilën Demokracia erdhi në Evropë.Në vijim të natës së parë është "Vdekja e zotit Lazaresku", një dramë me humor të zi që denoncon sistemin e korruptuar shëndetësor në spitalet e Bukureshtit. Ky prodhim rumun i regjisorit Cristi Puiu, i realizuar me një buxhet të ulët, 350 mijë euro, i përshkuar nga një atmosferë balzakiane e përafërt me realitetin shqiptar, është vlerësuar para tre vitesh në Festivalin e Kanës me çmimin "Un certain regard".
Në katër netët në vazhdim projektohen filma si "Drejt ëndrrës" i regjisores greke Chryssa Tzelepi e cila është ftuar në Tiranë nga IHRFAA, apo dokumentarë si "Ajo, kriminelja e dikurshme" për mënyrën se si u trajtuan, u pështynë, u fyen, u qethën në publik femrat e akuzuara për lidhje dashurore me ushtarët gjermanë. Filmi i regjisorit Jean-Gabriel Periot me "spektaklin e ndëshkimit dhe turpërimit publik ndaj këtyre vajzave tregon qartë që dhuna e masakrat e luftës vazhduan edhe pasi ushtria e Hitlerit u dorëzua."
Me interes është shfaqja e dokumentarit "Lista e Karlës" i regjisorit Marcel Schupbach i cili ngre pikëpyetje të mëdha për çfarë fshihet në të vërtetë pas "dëshmit" të misionit të ish-kryprokurores në Gjykatën Ndërkombëtar të Hagës për Ish-Jugosllavinë, për kapjen dhe dënimin kriminelëve të luftës.Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut nuk është një festival didaktik i të drejtave të njeriut, por është edhe një leksion i nevojshëm në fushën e të drejtave për vende me demokraci të brishtë si Shqipëria ku arti i kinemasë shprehet si një nevojë për të qenë i dobishëm dhe për ta kthyer vëmendjen tek njeriu këtu dhe tani, pavarësisht se IHRFFA nuk ka pasur mbështetjen e asnjë institucioni (përveç mbështetjes simbolike të Ministrisë së Punëve të Jashtme) apo grupi zyrtar interesi që do t'i jepnin një hop përsosjes së tij dhe mundësi për të pasur mes nesh autorët e filmave, çka do t'i jepte frymëmarrje debatit për kryetema të dhunës ndaj të drejtave të njeriut.Akademia e Filmit dhe e multimedias "Marubi" në bashkëpunim me struktura private të edukimit, si universitetet shpreson të tërheqë vëmendjen e të rinjve dhe studentëve që kanë për të gjetur në këtë festival kuptimin e vërtetë, joakademik dhe të përditësuar të së drejtës së njeriut që vjen përmes imazhit dhe nëpërmjet tij prekim përvoja të ngjashme me problemet shqiptare.Projeksionet e përditshme janë ndarë në tri seanca që nisin ora 15.00 dhe përfundojnë në mesnatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›