Është koha për Polip
Lexime të poezive, diskutime mbi letërsinë, punëtori të ndryshme, mbrëmje muzikore, ekspozitë me punime grafike dhe ilustrime janë disa prej aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë Polip, që do të hapet sot (e premte) e do të zgjasë deri të dielën.
Ky është edicioni i dytë i këtij festivali, i cili organizohet nga Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me KPZ Beton nga Beogradi.
Në konferencën për media, që u mbajt të enjten, u dhanë detaje rreth këtij festivali, ku midis tjerash organizatorët treguan se do të mblidhen autorë nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Gjermania. Gjatë tri ditëve të festivalit do të ketë lexime diskutime letrare dhe mbrëmje muzikore me bendet vendore dhe nga rajoni.
Jeton Neziraj, drejtues i Qendrës Multimedia, tregoi se në aspektin tematik pothuajse kryesor është koncepti i kufirit, mënyra se si shkrimtarët i perceptojnë kufijtë dhe si ato reflektohen në krijimet e tyre artistike. Ai shtoi se vërehet prej programit se janë fokusuar në regjion dhe vlera kryesore e këtij edicioni, sipas tij, është ardhja e mysafirëve nga regjioni.
“Është e rëndësishme prezenca e një grupi të madh të autorëve të regjionit, posaçërisht mysafirët shkrimtarë nga Serbia. Fakti që ky edicion organizohet me një grup alternativ kritik nga Beogradi besoj që dëshmon sensin dhe orientimin që ky festival synon ta bëjë edhe në të ardhmen”, tha Neziraj.
Ndërkaq, Sasha Iliq, udhëheqës i KPZ Beton nga Beogradi, tha se i vjen mirë që është në Prishtinë, në edicionin e dytë të festivalit Polip, i cili, sipas tij, nuk është më veç një festival i poezisë por është një festival që merret me letërsinë në përgjithësi dhe gjithashtu edhe me aspekte tjera të kulturës. Ai foli edhe për edicionin në gjuhën shqipe të suplementit Beton, që është botim special për këtë festival.
“Në veçanti jam i lumtur që edhe grupi Beton, të cilit i përkas, ka arritur ta bëjë edhe një edicion tjetër në gjuhën shqipe, përveç atij projekti të cilin Beton e ka realizuar në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, që kanë qenë antologjitë dygjuhësore, njëra e shkrimtarëve nga Kosova që është përkthyer në serbisht dhe tjetra me shkrimtarë nga Serbia që është përkthyer në shqip”, tha Iliq.
Duke folur për konceptin e Betonit, Iliq shtoi se ka të bëjë me një buletin të shkrimtarëve dhe kritikëve prej Beogradit që merret me tema politike dhe shoqërore dhe ka të bëjë edhe me konceptin bashkëkohor vizual ose me stripin bashkëkohor”, theksoi Iliq.
Festivali Polip do të hapet edhe me një ekspozitë të punimeve të realizuara në kuadër të punëtorisë ‘Grafikë, Roman, Skicimet e W.G. Sebald’, me punime grafike dhe ilustrime të artistëve nga Bosnja, Sllovenia, Shqipëria, Gjermania, Belgjika dhe Kosova.
Lidhur me këtë folën Elizabeth Desta dhe Sonja Law, udhëheqëse të këtij projekti, të cilat thanë se koncepti fillestar i këtij projekti është puna e shkrimtarit W.G. Sebald që ka lindur në Gjermani në vitin 1944 dhe i cili në veprat e tij i ka përdorë dy mjete, imazhin dhe tekstin.
“Neve na është dukur koncept mjaft interesant. Prandaj kemi dashur ta eksplorojmë këtë koncept të bashkimit të imazhit dhe të tekstit, që ka qenë realisht koncepti fillestar i punës së W.G. Sebald. Për këtë punëtori kemi ftuar pjesëmarrës të ndryshëm prej Evropës Perëndimore, por gjithashtu edhe prej rajonit”, thanë ato.
Një punëtori tjetër interesante është edhe ‘Parnasus’, për të cilën foli Nick Dubois, i cili vjen nga Anglia dhe e udhëheq këtë punëtori.
Ai tha se është shumë i lumtur që gjendet këtu në kuadër të festivalit.
Duke e shpjeguar konceptin e ‘Parnasus’, ai tha se është krijimi apo bërja e letrës me dorë, që është një teknikë e vjetër e prodhimit të letrave.
“Kam punuar me 16 shkrimtarë, pjesëmarrës të Polipit, të cilët në fund do ta prodhojnë një libër të punuar me dorë. Ky libër do të jetë pjesë e një ekspozite më të madhe në Angli, që e ka emrin ‘Poetry Parnasus’. Ky është një projekt që realizohet në kuadër të Lojërave Olimpike, që do të mbahen në Angli dhe secili prej 205 shteteve pjesëmarrëse të Olimpiadës vjen si përfaqësues. Ne po e krijojmë këtë libër të vogël që do të përdoret si pjesë e një libri të madh, të cilin do ta krijojmë gjatë Olimpiadës”, tha Dubois.
Edicioni i sivjemë i festivalit u financua nga Swiss Cooperation Office Prishtina, Goethe Institute, KFOS dhe TRADUKI.