E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grup i nxehtë

Një bashkë-nikoqir, një skuadër solide dhe dy superfuqi që kanë dëshpëruar në garat e fundit e bëjnë jashtëzakonisht interesant Grupin D në Euro 2012. Anglia, Franca, Ukraina dhe Suedia do të ndeshen mes vete në atë që pritet të jetë një grup i nxehtë me rivalitet të fortë.

Grupi D në Euro 2012 do të përbëhet nga njëri prej shteteve nikoqire Ukraina, Anglia, Suedia dhe Franca. Ukraina pa dyshim se do të ketë përkrahjen më të madhe, së paku në letër, por pa dyshim se është skuadra më e dobët nga këto katra.

Anglia ka emëruar Roy Hodgsonin për selektor dhe ka një grup të fuqishëm futbollistësh, kurse Franca është ringjallur pas fiaskos në Kampionatin botëror 2012. Suedia është gjithnjë e rrezikshme me Zlatan Ibrahimoviçin, andaj një garë e nxehtë pritet të zhvillohet për kualifikim nga Grupi D.

Po aq interesante ishte edhe rruga e këtyre skuadrave, përveç nikoqirit Ukrainës, për të siguruar pjesëmarrjen në Evropian.

Ukraina

Ukraina e kishte të garantuar vendin në Euro 2012 nga statusi i nikoqirit së bashku me Poloninë. Pas dështimit për të marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare nga Kampionati botëror 2006, ekipi i Oleg Blokhinit synon të dëshmojë kualitetin e tij në praninë e tifozëve të vet. Gjatë kohës kur skuadrat tjera ishin të zëna në fushatën kualifikuese në dy vitet e fundit, Ukraina ka zhvilluar miqësore ndërkombëtare për t’u përgatitur për garën. Ekipi i Blokhinit barazoi 1-1 me Holandën në Donetsk në gusht 2010, mposhti Kilin 2-1 në shtëpi, kurse barazoi 2-2 me Kanadanë. Ukraina u mposht nga Brazili 2-0, kurse mbylli vitin 2010 me barazim 2-2 me Zvicrën. Me rezultat identik e filloi edhe 2011-ën përballë Rumanisë, ndërsa humbi 2-0 nga Italia. Gjendja duket sikur u përmirësua pas fitores 2-0 ndaj Uzbekistanit në shtëpi, por nuk doli të jetë ashtu pasi Ukraina humbi katër ndeshje me radhë nga Franca, Suedia, Uruguai dhe Republika çeke. Por, prej asaj kohe, forma e skuadrës është përmirësuar dhe ajo është e pamposhtur në pesë ndeshje.

Suedia

Suedia dështoi të kualifikohet për Kampionatin botëror 2010 dhe ishte jashtëzakonisht e motivuar për të marrë pjesë në garën e saj të parë ndërkombëtare nga Euro 2008. Për ta bërë këtë, ata u desh të tejkalojnë Holandën, Hungarinë, Finlandën, Moldavinë dhe San Marinon në Grupin E kualifikues për Euro 2012. Gjithçka nisi me fitore 2-0 ndaj Hungarisë dhe 6-0 ndaj San Marinos. Por, Suedia u kthye më këmbë në tokë pas disfatës 4-1 nga Holanda. Megjithatë, u ngrit shpejt. Ata regjistruan tri fitore të njëpasnjëshme kundër Moldavisë (2-1), (4-1) dhe Finlandës (5-0) para se të mposhten 2-1 nga Hungaria. Por, një seri tjetër prej tri fitoreve rresht ndaj San Marinos (5-0), Finlandës (2-1) dhe në fund Holandës së kualifikuar (3-2) mjaftuan që Suedia të dalë e dyta me 24 pikë, që i siguroi pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë si skuadra me bilancin më të mirë në pozitën e dytë.

Franca

Kur Laurent Blanc mori drejtimin e Francës në fund të qershorit 2010, Trekolorët ishin në hallakamë. Eliminimi i turpshëm në fazën e grupeve të Kampionatit botëror 2010 e tronditi skuadrën. Por, Blanc e ringjalli skuadrën duke e kualifikuar për në Euro 2012 nga Grupi D, që përmbante për kundërshtarë Bosnjën e Hercegovinën, Rumaninë, Bjellorusinë, Shqipërinë dhe Luksemburgun. Por, fillimi nuk ishte i mbarë. Franca humbi 1-0 nga Bjellorusia në Stade de France në Paris. Por, katër fitore të njëpasnjëshme me rezultat identik 2-0 ndaj Bosnjës, Rumanisë dhe dy me Luksemburgun i kthyen ata në rrugën e duhur. Franca nuk arriti të marrë pikë maksimale me Bjellorusinë, duke barazuar 1-1 në udhëtim para se të fitonte 2-1 në Tiranë ndaj Shqipërisë. Barazimi pa gola me Rumaninë u përcoll nga një tjetër fitore ndaj Shqipërisë 3-0, kurse ndarja e pikëve nga përballja me Bosnjën (1-1) i mjaftoi Francës të përfundojë e para.

Anglia

Anglia u gjend në Grupin G kundër Malit të Zi, Zvicrës, Uellsit dhe Bullgarisë. Anglia u prit të kalojë pa probleme dhe ndodhi ashtu. E udhëhequr nga Fabio Capello, Anglia e filloi fushatën me dy fitore ndaj Bullgarisë (4-0) dhe Zvicrës (3-1). Pas tyre erdhi barazimi 0-0 me Mal të Zi, por që u kompensua me fitore 2-0 në udhëtim te Uellsi. Anglia barazoi sërish, kësaj radhe në shtëpi me Zvicrën (2-2), por u përmirësua shpejt me dy fitore ndaj Bullgarisë (3-0) dhe Uellsit (1-0). Ata e mbyllën fushatën me barazim 2-2 në udhëtim te Mali i Zi, por që u mjaftoi të jenë në krye të grupit dhe siguruan kualifikimin e drejtpërdrejtë për në Euro 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›