E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është koha të flitet për anëtarësimin e Kosovës në OKB

Mendimi i GJND-së, i shpallur ditë më parë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është cilësuar nga analistët dhe ekspertët vendës dhe të huaj si përgjigjja më e qartë me të cilën legjitimohet në plotni akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare. Mendimi, siç u pa, “tejkaloi” pritjet e kosovarëve dhe  “zhgënjeu” serbët. Natyrisht është e ditur se drejtësia asnjëherë  nuk i kënaq të gjitha palët. Nisur nga ky realitet Prishtina dhe Beogradi s’mund dhe s’duhet pritur se do të kenë veprime të njëjta. Veçmas politika dhe diplomacia serbe që aq shumë pati varur shpresat se mendimi i GJND-së do të kishte përmbajtje ambiguiste me mundësi interpretimi afirmativ dhe triumfues për të, u gjend përpara një situate të vështirë kur mendimi i drejtësisë ndërkombëtare me qartësinë e tij hidhte poshtë në mënyrë shumë të fuqishme gjithë “argumentet” me të cilat diplomacia serbe, pothuaj për dy vjet, po operonte mjaft mirë duke e mbështjellë me një mjegull dyshimi të vërtetën për Kosovën në sytë e shumë vendeve të botës dhe duke i mbajtur ato larg vendimit për njohjen e shtetit të Kosovës.
Tani kur të gjitha këto të ashtuquajtura argumente i rrënoi verdikti i GJND-së, politika dhe diplomacia serbe po bën sikur nuk është dorëzuar. Për më shumë, institucionet e larta të shtetit serb, për mendimin tim, me një dozë nervozizmi dhe kokëfortësie po rrëshqasin në veprime naive, duke nisur një draftrezolutë të re në KS të OKB-së për Kosovën, e cila po qe se lexohet vëmendshëm është një përpjekje e diplomacisë serbe për të vënë në lajthitje vendet anëtare të KS të OKB dhe vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Serbia sikur po harron se me kërkesë të saj kjo organizatë ka mbështetur nismën e saj për të marrë mendimin e GJND-së lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dhe është krejt e natyrshme që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së tani pret që në formë të shkruar t’i dërgohet mendimi i GJND-së, të cilin vetë e ka kërkuar dhe mbi bazën e tij të marrë qëndrimet e saj përmes një rezolute. Projektrezoluta e Serbisë e sapodeponuar, e cila mori bekimin vetëm të Rusisë, tani ka shumë të ngjarë që do të kundërshtohet fuqishëm, sepse  pashmangshëm do të konsiderohet si obstruksion i hapur kundër politikës shumë të ekuilibruar të OKB-së ndaj çështjes së Kosovës. Prononcimet e qarta se një rezolutë e tillë nuk do të marrë mbështetjen e tre anëtarëve të fuqishëm të KS të OKB-së (SHBA, Britania e Madhe dhe Franca) flet se ndoshta për herë të parë Serbia ka shkuar shumë larg në politikën e saj të pakthim, duke luajtur në kartën “krejt ose asgjë”.
Nga ana tjetër, me një vështrim të vëmendshëm, mund të vërejmë se mendimi i GJND-së po krijon një konsensus më të gjerë ndërkombëtar lidhur më Kosovën. Nisma e BE-së që përmes një rezolute të re, të bashkërenduar me Beogradin dhe Prishtinën, për fillimin e një dialogu për çështje teknike midis Kosovës dhe Serbisë, flet qartë se në hapat në vijim do të kemi një akordim shumë më të madh BE-OKB  për të përmbyllur me sukses rastin e Kosovës, duke e legalizuar plotësisht Republikën e Kosovës si entitet të ri shtetëror në marrëdhënie ndërkombëtare, përmes anëtarësimit të saj në OKB. Ky konstatim mund të tingëllojë paksa euforik, por jam shumë i sigurt se në instancë të fundit Rezoluta e propozuar nga BE-ja këtë e ka si qëllim final. Tani sa jemi larg arritjes së këtij qëllimi, mund të thuhet se do të determinohet prej një varg faktorëve, kryesisht politikë, që në vete ngërthejnë interesa të vendeve të fuqishme në vendimmarrjen e sotme botërore. Një rrjedhë logjike e implementimit të këtij synimi madhor të Kosovës, pra anëtarësimit në OKB, do të mundë të dukej si vijon:
Së pari: Ka shumë të ngjarë që Asambleja e përgjithshme e OKB-së pasi të njoftohet formalisht me mendimin e GJND-së, do të aprovojë një rezolutë, që në fakt do të jetë e njëjta apo e përafërt në përmbajtje më atë që po përgatit Bashkimi Evropian, me të cilën i bëhet thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të ulen në një tryezë bisedimesh për çështje teknike që janë preokupime të qytetarëve të të dy vendeve. Një dialog i tillë teknik, pashmangshëm do të ketë edhe karakter politik, sepse asnjë çështje, sado teknike që të jetë, nuk do të zgjidhet me nivelet teknike pa dhënë pëlqimin qarqet politike. Por partnerët ndërkombëtarë BE dhe një pjesë e madhe e vendeve anëtare të OKB-së kanë llogaritur se këto biseda teknike do të kënaqin egon e politikes serbe, e cila do t’i cilësojë si biseda politike dhe si fitore të saj.
Së dyti: Do të punohet nga të gjithë mbështetësit ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës që pas këtij sesioni të Asamblesë së Përgjithshme, ndoshta edhe para saj, të sigurohet një valë e re e njohjeve për shtetin e Kosovës, e cila do ta ndryshonte ndjeshëm raportin numerik të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën në favor të numrit të vendeve që e kanë njohur atë.
Së treti: është e pritshme që deri në fund të këtij viti të ketë lëvizje nga pozicioni i tyre kundërshtues i pesë vendeve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo do të duhej të krijonte premisën e përafrimit të Kosovës me BE-në përpara se Kosova të aplikonte për anëtarësim në OKB. Përafrimi dhe në rastin më të mirë përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave do të faktorizonte shumë politikisht atë dhe do të hapte perspektiva shumë të qarta edhe për anëtarësime tjera të rëndësishme, dhe
Së katërti: Rritja e numrit të vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës do të krijonte një momentum të ri, që edhe në aspektin formal të fillonte nisma për anëtarësim të Kosovës në OKB. Përmes dy të tretave e numrit të përgjithshëm të vendeve anëtare të OKB-së do të mund të procedohej nisma në Asamble për pranimin e Kosovës si vendin anëtar, të 193-in, të OKB-së. Proceduralisht këtë propozim të Asamblesë do të duhej që me një rezolutë ta miratonte Këshilli i Sigurimit.
Në fund pa pretenduar se po profetizoj diçka, konsideroj se kjo do të jetë një rrjedhë logjike e zhvillimeve për Kosovën në planin ndërkombëtar deri në fundin e vitit të ardhshëm, konstatim ky që rezulton nga reflektimet e fundit ndërkombëtare pas dhënies se mendimit këshillëdhënës të GJND-së lidhur me ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës. Angazhimet e faktorit të brendshëm, të institucioneve kosovare, padyshim se do të kenë impakt të ndjeshëm në dinamikën e realizimit të synimit madhor të Kosovës për anëtarësim të Kosovës në OKB.

(Autori është deputet dhe ligjërues në UP)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›