Çtë bësh o i madhi Nol, kemi dy shqiptarizma
Shqipëria ashtu siç e njohin qytetarët, d.m.th., “Zonjë e Randë”, ka vdekur. Në vend të saj ka ngelur një kufomë e copëtuar. Falë këtij provinciali që kemi për kryeministër dhe disa paraardhësve të tij, ky vend i ngjan më shumë një republike afrikane buzë Europës, sesa një shteti të vërtetë.
Hapini sytë. Do shihni një shtet që vdes nën thundrën e një kulture të ndyrë rurale. E vodhën berishianët, nanoistët, lloj-lloj istash të tjerë më të mëdhenj a më të vegjël. E grabitën dhe vranë në mes të ditës, në mes të dritës, buzë civilizimit. Tjetërsuan pronën. Lanë pa punë të aftin dhe i ngritën monument paaftësisë. U zunë policitë për “bustin e politikanit” dhe askujt nuk i shkoi ndër mend pyetja: “More, po, a kemi ndonjë inxhinier apo mjek apo NJERI TË VERTETE që t’i bëjmë një bust të vockël? Por të vërtetë ama!”.
Kemi zotrote, kemi, po nuk i duam. Nuk i duam sepse nuk na pëlqen të lodhim trutë. Jemi përtacë e mendjemëdhenj, sherrxhinj dhe frikacakë. Edhe bustin atyre do t’ua bëjmë. Sherrxhinjve, frikacakëve dhe trafikantëve.
Pse? Sepse “ne fundërrinat jemi shumica, ju njerëzit jeni pakica...! Ndaj, hajt mos më ça kryt! Kom me t’vjedh, me t’vra, me t’shtyp me makin po mujta kur t’jem tap sepse ky jom un. Ti a m’vret dot? JO. Je pakicë, o qytetar! Po s’durove hik n’emigracion…”.
Bënte poezi i mjeri Fan Nol. Donte t’u falte pak civilizim të mallkuarve. Natyrisht. Të mallkuarit e lanë të vdiste në emigracion. I bënë edhe një bust me varak cigaresh te Parlamenti dhe i shkruan pas: “Ene shum e ke”. Hajt, nosh!…”.
Çfarë të besh o i madhi Fan Nol? Ka dy shqiptarizma. Një shqiptarizëm qytetarie të vockël që mban vlera të mëdha, dhe një të ndyrë, nga ajo e kanaleve të ujërave të zeza, gjigante në numër që bart një nevojtore në krahë dhe nga shkon e helmon dynjanë.
Kjo është shqiptarizma e parazitëve, helm i helmeve. Fale këtij raporti të mallkuar ajo e vogla nuk eci kurrë. U pështy, gris, vodh apo u vra nga kjo e madhja…