Çudia e ritualit të dosjeve
Blendi Kajsiu
Çudia nuk qëndron në faktin që çështja e dosjeve vazhdimisht hapet për t'u mbyllur dhe mbyllet për t'u hapur. Është folur për dosjet në të kaluarën, po flitet në të tashmen dhe me siguri do të flitet në të ardhmen. Nuk është çudi as fakti që gjithmonë për dosjet flitet si për herë të parë. Të krijohet përshtypja se dosjet nuk janë hapur kurrë, se për to nuk është bërë kurrë ndonjë ligj dhe se prandaj duhet bërë diçka patjetër sot. Çudia qëndron në faktin se sa herë hapet çështja e dosjeve debati ndizet si zjarri në kashtë. Në të përfshihen që të gjithë, politikanë, gazetarë, analistë dhe qytetarë. Rithuhen të njëjtat argumente, ravijëzohen të njëjtat palë që ruajnë të njëjtat pozicione dhe ribotohen në gazetat e përditshme të njëjtat pseudonime. Pikërisht këtu qëndron çudia. Logjikisht është e pamundur të kuptosh se përse përfshihemi të gjithë me kaq zjarr në një debat që për të disatën herë nuk ka asgjë të re. Përse ribotohen për të n-tën herë po ato pseudonime që të gjithë i dinë, e megjithatë i lexojnë me të njëjtin kuriozitet si për herë të parë.
Një shpjegim i logjikshëm është i pamundur. Prandaj për të kuptuar efektin magjik që dosjet dhe "ish-spiunët" kanë në shoqërinë tonë, është ndoshta më mirë që ta shikojmë debatin e dosjeve si një ritual që kryhet në mënyrë periodike. Rëndësia e ritualit nuk qëndron thjesht në përmbajtjen e tij, por në funksionin që kryen në raport me shoqërinë në përgjithësi. Kështu djegia e shtrigave apo e heretikëve në mesjetë ishin rituale që i shërbenin statuskuosë. Për individët këto ishin rituale ku mund të shprehnin besimin ndaj Zotit dhe luajalitetin ndaj bashkësisë duke sharë, sulmuar apo djegur heretikun apo adhuruesit e djallit. Djegia apo mbytja e shtrigave ishte një ritual masiv dhe mjaft popullor, nëpërmjet të cilit bashkësia pastrohej dhe ripërtërihej duke rideklaruar dhe përforcuar besimin e saj tek Zoti dhe doktrina mbizotëruese. Kjo nuk do të thotë se shtrigat dhe shtriganët nuk ekzistonin. Në mesjetë kishte vërtet njerëz që besonin dhe adhuronin djallin. Kjo ndodhte pasi atmosfera fetare ishte aq mbytëse, saqë e vetmja kundërvënie ishte adhurimi i të kundërtës së Zotit, Djallit. Ritualet e djegies së shtrigave apo heretikëve shërbenin pikërisht për riprodhimin e atmosferës mbytëse që i furnizonte ato me lëndën e parë djegëse.
Në të njëjtën mënyrë rituali i hapjes së dosjeve i shërben shoqërisë sonë për të ruajtur statuskuonë. Dosjet shërbejnë për të shprehur devotshmërinë ndaj moralit, demokracisë, komunitetit dhe vlerave, pikërisht atëherë kur këto mungojnë më shumë. Ripërtëritja morale arrihet pasi shoqëria denoncon dhe nxjerr nga gjiri i saj spiunët, ose siç njihen ndryshe "mëkatarët". Prandaj pjesë e rëndësishme e ritualit të dosjeve është botimi i pseudonimeve të spiunëve, që përbën edhe një akt simbolik të identifikimit dhe demaskimit të mëkatit të fshehur në gjirin e shoqërisë. Thirrjet për pastrim rrisin kredencialet morale të denoncueseve dhe të shoqërisë në përgjithësi që rideklaron dëshirën e saj për pastrim në raport me të kaluarën dhe të tashmen. Njëkohësisht spiunët shërbejnë edhe si një njollë e zezë kundër së cilës shoqëria qëndron e bashkuar. Askush nuk është me spiunët, të gjithë janë të bashkuar në denoncimin e mëkatit të tyre. Ndryshimi qëndron vetëm në intensitetin e denoncimit.
Këtu krijohet një hapësirë, nëpërmjet të cilës shoqëria vë në skenë idealin demokratik. Ravijëzohet një ndarje demokratike mes vijës së ashpër dhe asaj të butë. Një palë në emër të moralit dhe pastërtisë deklarohen për dënimin të ashpër dhe të rreptë të ish-spiunëve, përjashtimin e tyre total nga funksionet publike. Pala tjetër në emër të demokracisë thekson të drejtat themelore të ish-spiunëve, garancitë që duhet të ofrojë demokracia liberale edhe për ta. Kështu dosjet krijojnë një hapësirë ku dikush mund të rrisë kredencialet morale, një tjetër ato demokratike dhe të tjerë ndoshta të dyja. Nëpërmjet dosjeve vihen në skenë ato elementë që i mungojnë më shumë se kurrë sot skenës sonë politike, si morali, demokracia, liberalizmi.
Për këtë qëllim të gjithë aktorët vishen me opinionet dhe pozicionet përkatëse siç vishen kostumet për në ritual. Ashtu sikurse edhe kostumet, këto pozicione dhe opinione nuk ndryshojnë jo sepse nuk mundet, por sepse nuk duhet, përndryshe rituali humbet të gjithë kuptimin. Qëllimi nuk është për të kuptuar, por për të performuar. Performanca nëpërmjet ritualit e mban shoqërinë bashkë, ndërsa e vërteta e dosjeve, e implikimit të gjerë shoqëror apo e vëlla-vrasjes, mund ta përçajë atë. Prandaj çështja e dosjeve nuk kërkon thellim, por një debat në sipërfaqe, nuk kërkon informacione apo analiza të reja, por rimarrje të pozicioneve të vjetra. Ajo kërkon sakrifikimin e disa individëve për të qetësuar ndërgjegjen e shoqërisë në përgjithësi. Ashtu sikurse djegia e disa shtrigave apo heretikëve në mesjetë shërbente si moment purifikimi për komunitetin.
Pikërisht për këtë arsye rituali i dosjeve nuk prodhon asgjë të re dhe megjithatë rifutet në debatin publik me pasionin e një risie. Ai bëhet i domosdoshëm dhe i dobishëm pikërisht në ato momente kur shoqëria vuan më së shumti për moral, pastërti dhe besim. Prandaj nuk është rastësi që çështja e dosjeve del në pah në ato momente kur vlerat, morali dhe besimi në shoqëri kanë arritur pikën më të ulët. Sa më pak moral, vlera dhe demokraci të rrezatojë skena politike, aq më i domosdoshëm bëhet një ritual ku këto vlera të munguara vihen në skenë. Është më se e qartë që kjo shërben për të na lehtësuar përballë imoraliteti politik dhe publik që na ka mbytur. Duke u marrë me dosjet arratisemi nga e vërteta e papërballueshme se qeverisemi nga një kryeministër që na premtoi anti-korrupsionin, por që me apo padashje është përfshirë në korrupsion me pasojë vrasjen. Dhe ky nuk mund të jetë vetëm faji i kryeministrit. Duke ia vënë fajin dosjeve të djeshme, harrojmë se si përditë jemi dëshmitarë në krijimin e dosjeve të sotme. Se si politikanët e rinj pa dosje sigurimi po futen në dosjet e korrupsionit.
Natyrisht kjo nuk do të thotë se spiunët nuk ekzistojnë. Ashtu sikurse edhe shtrigat në mesjetë spiunët janë njerëz realë, që me apo pa vullnet i kanë shërbyer djallit, d.m.th sigurimit, diktaturës etj. Ama rituali i dosjeve të spiunëve nuk shërben aspak për të kuptuar se si dhe përse shoqëria i prodhoi këto krijesa me emrin 'spiun'. Përkundrazi rituali i dosjeve shërben për të kujtuar spiunët dhe për të harrur dosjet e tyre. Për pasojë sot vazhdojnë të krijohen dosje të reja nga një sistem që funksionon në mënyrën e vjetër. Rituali i dosjeve shërben pikërisht për të mbajtur këtë sistem gjallë. Është një sistem mbytës që thith krijesa të reja, i pajis ato me dosje sigurimi apo korrupsioni, rreth të cilave prodhon rituale për të rigjeneruar vetveten. Sot jemi dëshmitarë të ritualit të dosjeve të sigurimit, nesër me siguri do jemi pjesë e ritualit të dosjeve të korrupsionit.