E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna e minatorit si përfitim publik

Ilir Beqja 

Kohët e fundit ka patur një riaktivizim të kërkesave të grupeve të ndryshme të ...interesit për të rihapur diskutimin e moshës së daljes në pension për kategori të ndryshme. Pa dyshim që të parët që e nxisin këtë debat janë vetë minatorët, ish-minatorët apo organizimet e tyre sindikale. Me to janë bashkuar edhe të tjera organizime politike apo shoqërore.

***
Profesioni i minatorit është një profesion që edhe sipas legjislacionit shqiptar të trashëguar konsiderohet profesion i vështirë. Po në bazë të legjislacionit të trashëguar, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 1958, puna e minatorit është punë e kategorisë së parë. Deri në vitin 1993, për çdo person që kishte punuar në punë të kategorisë së parë, mosha e daljes në pension ishte 50 vjeç për burrat dhe 45 vjeç për gratë (për punët e konsideruar të parrezikshme, mosha e daljes ishte 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë). Në vitin 1993, u ndërmor një reformim i plotë i sistemit të sigurimeve shoqërore. Në thelb, u vendos që sistemi i sigurimeve shoqërore do të bazohet në një marrëveshje midis brezave ku çdo person që është në gjendje të punojë duhet të paguajë në vazhdimësi sipas të ardhurave që fiton nga puna. Pikërisht për këtë arsye, u vendos që të ketë një qasje të barabartë të shtetasve në sistemin e pensioneve. Në këto kushte nuk konsiderohet e pranueshme, që dikush të ketë të drejtën ligjore që të kontribuojë për një periudhë më të shkurtër në vite se të tjerët. Kështu u përcaktua një periudhë kalimtare e unifikimit të moshës së daljes në pension për të punësuarit e profesioneve të kategorisë së I. Sipas dispozitave, në vitin 2013, mosha e daljes në pension për të punësuarit e kategorisë së I (ku përfshihen edhe minatorët) bëhet 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë.
10 vitet që pasuan reformën e pensioneve, treguan që qëndrueshmëria financiare e sistemit nuk ishte e konsoliduar. Për këtë, në vitin 2002 u ndërmorën disa ndryshime parametrike, ku midis të tjerave u vendos rritja e moshës së daljes në pension edhe me 5 vite të tjera. Edhe në këtë rast pati një periudhë kalimtare. Përfundimisht, në vitin 2023 mosha e daljes në pension të minatorëve do të jetë 65 vjeç. Pra, kemi një periudhë kalimtare 30-vjeçare. Që në krye të herës, bashkë me rritjen e moshës së daljes në pension, është shpresuar dhe besuar që në sipërmarrjet e profesioneve të vështira do të bëheshin investime të rëndësishme në përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në punë. Ndoshta u zgjata pak, por desha të paraqes kornizën 15-vjeçare të ecurisë së problemit.

***
Ajo që sot kërkojnë minatorët është rishikim i moshës së daljes në pension. Kërkesa e tyre bazohet në faktin që jetëgjatësia e tyre mesatare është ndjeshëm më e ulët se ajo e përgjithshme e shqiptarëve. Kështu, minatorët kërkojnë që në raport me vitet e tyre të punës ta gëzojnë pensionin jo më pak se të gjithë pensionistët e tjerë. Pra, ashtu siç thamë më lart që askush nuk duhet të ketë të drejtë ligjore të kontribuojë më pak, po ashtu askujt nuk i duhet kufizuar e drejta e gëzimit të pensionit më pak se të tjerët.
Pas kësaj parashtrese, le të shohim situatën aktuale në Shqipëri. Sivjet, në vitin 2008, mosha e daljes në pension për minatorët është 57 vjeç (pas 1 korrik 2008 është 57.5 vjeç). Vjet, në vitin 2007, koha e gëzimit të pensionit për pensionistët ish-punëtorë të profesioneve të kategorisë I ka qenë 20 vjet. Nuk disponohen të dhëna zyrtare të publikuara veçmas për minatorët. Nuk dëshiroj me këtë rast t'i kundërvihem të dhënave të sindikatave. Nga eksperienca ime, pranoj që minatorët e minierave të bakrit për fat të keq janë më jetëshkurtër se të tjerët. Askush prej tyre nuk arrin t'i shpëtojë silikozës.
Pasi kanë kaluar 15 vjet që prej fillimit të reformës në sigurimet shoqërore, konstatojmë me keqardhje që shpresa jonë për përmirësimin e kushteve të punës në miniera nuk është justifikuar. Për më tepër, një herë për një herë, nuk ka shumë shpresë që në një të ardhme të afërt të arrihet ndonjë përmirësim i ndjeshëm i sigurisë në punë.
Në këto kushte, mendoj se ka vend të rishikohet mosha e daljes në pension për minatorët. Nëse sot kemi një situatë të përgjithshme, ku vitet e gëzimit të pensionit janë rreth 28% e periudhës së jetës mbi moshën 20 vjeç (në vitin 2007 koha e gëzimit të pensionit të burrave me profesione të zakonshme ishte 16.1 vjet, pra meqë kanë dalë në pension 60 vjeç këta burra mesatarisht kanë jetuar deri 76.1 vjet), atëherë le t'u japim edhe minatorëve mundësinë që të gëzojnë pensionin për 28% të viteve të jetës mbi moshën 20 vjeç. Legjislacioni i sotëm e mohon praktikisht këtë të drejtë në vitet në vijim. Po në vitin 2007, koha e gëzimit të pensionit për burrat e kategorisë së I është 20 vjet, thënë ndryshe nuk kanë jetuar më shumë se 70 vjeç. Rezulton që kur të arrijë mosha e daljes në pension në 65 vjeç, do të mund ta gëzojnë pensionin për jo më shumë se 5 vjet ose 2.2 herë më pak se të tjerët. Pra, nëse do të pranojmë që edhe minatorët do të gëzojnë pensionin për 28% të viteve mbi 20 vjeç, mosha e daljes në pension nuk duhet të kalojë 57 vjeç. Por këto arsyetime vlejnë për situatën në vitin 2007. Pas vitit 2012 do të kemi një situatë tjetër. Duke jetuar mesatarisht 77 vjet, shqiptarët do të gëzojnë pensionin për 12 vjet, ose për 21% të viteve mbi moshën 20 vjeç. Në këto kushte, mosha e daljes në pension për minatorët nuk duhet të kalojë moshën 59.5 vjeç.
Ky propozim ka një të metë për minatorët. Duke kontribuar për më pak vite, do të ndodhë që shtesa për vitet e punës e këstit mujor të pensionit të dalë e vogël. Kjo situatë mund të zgjidhet në disa mënyra. Një mënyrë mund të jetë që të paguhen kontribute më shumë se të tjerët. Ekziston rreziku që të rritet kostoja e fuqisë punëtore minatore. Për këtë arsye, marr nismën të propozoj diçka tjetër. Ftoj shoqërinë të pranojë të kontribuojë për minatorët, diçka nga të hyrat e përgjithshme. E them këtë, pasi, personalisht, mendoj se sot puna e minatorit sjell përfitime publike. Sot, ndjehet që është shtuar interesi për pasuritë minerare të nëntokës shqiptare. Faktet që vijnë nga Bulqiza, tregojnë që të gjithë atje i kanë zënë "ethet" e kromit. Në vitin 2007 eksporti i kromit arriti në sasi kuotat e vitit 1990. Krerët e maxhorancës mburren se kemi rritje me 30% të eksporteve nga viti në viti. Kjo vjen sepse të ardhurat nga eksporti i mineraleve janë rritur. Mendohet se pasuria minerare do të nxisë zhvillimin ekonomik të vendit. E pra, duhet të pranojmë se nëse edhe ne në Tiranë do të përfitojmë nga këto pasuri, kjo vjen në radhë të parë nga puna e minatorëve. Rritja e vlerës së të ardhurave nga eksporti, do të thotë edhe rritje e komisionit koncesionar që shkon në buxhetin ne shtetit. Një pjesë e këtyre të ardhurave mund të përdoret për të financuar rregullimin e masës së pensionit të ardhshëm të minatorëve. Nga pikëpamja konkrete e rregullimit të formulës së llogaritjes fillestare të pensionit, për minatorët mund të mos merret 1% për çdo vit punë si për të gjithë kontribuuesit. Në mënyrë të përafërt do të duhet diçka rreth 1.25% në vit, edhe pse kjo kërkon llogari shumë më të sakta. Pikërisht këtë diferencë prej 0.25% për çdo vit pune, ose jo më shumë se 6% të masës së pensionit të një minatori të financohet nga të ardhurat që vijnë nga komisionet koncesionare gjatë gjithë periudhës së gëzimit të pensionit.

***
Ky arsyetim mund të shtrihet edhe mbi ato profesione aktive akoma sot, që kanë një jetëgjatësi më të ulët se mesatarja e kontribuuesve të tjerë. Kjo mund të nxisë edhe kërkesa nga ato profesione që ndoshta nuk mund të punojnë në 65 vjeç. Nuk pajtohem me këto kërkesa. Parimi i përgjithshëm është dhe duhet të vazhdojë të jetë, të kontribuojmë në mënyrë të barabartë edhe në kohë, për të patur të drejtë të përfitojmë në mënyrë të barabartë po në kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›