E Premte, 6 Nëntor 2026

100 të çmendurit që bënë Tiranën! Ben Blushi vjen me histori të jashtëzakonshme në botimin ‘Historitë e çmendura të Tiranës’

Me ngjarje të jashtëzakonshme e personazhe atipike ku vetë autori i cilëson të marrë, të çmendur, vjen historia e një Tirane, e cila e udhëhequr nga tiranë, sot është pasqyrë e një kryeqyteti me po aq histori të çmendura. Publicisti i njohur, shkrimtari Ben Blushi erdhi në një rrëfim për “Rreze Dielli” në Report TV në lidhje me botimin e tij më të ri “Historitë e Çmendura të Tiranës”. Histori që kthejnë pas në kohë nga viti 1600 për të ardhur deri në ditët e sotme në kohët moderne në vitet 2000. Si në një film ashtu edhe në faqet e këtij libri sipas autorit parakalojnë qindra personazhe reale, të cilat vendosen në situata të pabesueshme.

“Libri tregon për 400 vjet çfarë ka ndodhur në Tiranë, nuk është një libër historik, kam ndjekur një stil tjetër, ky është një roman, një trill historik. Kam përzgjedhur ato ngjarje që s’janë të zakonshme që janë të marra. Ka 38 histori, Tirana është ndërtuar si një qytet i përplasjeve të të marrëve. Janë kacafytur për Tiranën, kam ardhur deri në vitin 2000”, tha Blushi.

Autori shpjegoi se ky roman ka 100 personazhe, të cilët janë ose të çmendur ose të vdekur.

“Fatkeqësisht, të gjithë ata që janë në këtë roman me emër kanë vdekur, ndërsa ata që jetojnë dhe që unë i kam përfshirë këtu, duke futur edhe veten, janë pa emër. Kur them të çmendur, e kam në konteksin e jetës, kontributin që ata kanë dhënë. Letërsia ime nuk është e zakonshme ashtu si dhe personazhet e mi”, tha Blushi.

Autori u ndal tek disa ngjarje të librit siç ishte edhe historia e qytetit të Tiranës, krijimi dhe emri.

“Sulejman Pashë Bargjini ishe beu i Mulletit. Ai shkoi disa kohë në Persi dhe kur u kthye fshati i tij iu duk shumë i vogël dhe mendoi të ndërtonte një qytet si ato që pa andej. Kur u kthye tha “fshati nuk më nxë më” dhe erdhi aty diku para parlamentit që është sot dhe ndërtoi një hamam, një xhami dhe një hotel. Familja e tij e drejtoi Tiranën për 200 vjet, ata u përballën me pas me Toptanët që erdhën nga Kruja dhe nga përballja e këtyre dy fiseve, lindën shumë burra që drejtuan Tiranën, përfshirë këtu Esat Pashë Toptanin, Ahmet Zogun e deri tek Leka Zogun”, shpjegoi Blushi.

Një nga pjesët më interesante të romanit është sipas autorit edhe emri i kryeqytetit, si u vendos emri Tiranë.

“Ka shumë legjenda dhe shumë histori në lidhje mE emrin e Tiranës. Në një kapitull të veçantë jam marrë me emrin e Tiranës. Gojëdhënat që emri i Tiranës vjen nga Teheran nuk është e vërtetë. Emri i Tiranës ka ekzistuar para vitit 1600, këtu ka pasur njerëz që jetonin, sipas meje varianti më i afërt i emrit është një frazë pellazgjike, pra para ilire që vjen nga fjala tiran, pra diktator. Tiranët ishin disa njerëz që rrëzonin mbretërit dhe ktheheshin në tiranë. Tirana është një qytet i drejtuar nga tiranët papushim dhe vazhdon të jetë edhe sot deri diku”, tha Blushi.

Autori u ndal edhe tek disa personazhe, duke ndarë edhe një histori të padëgjuar siç është ajo e vizitës së Albert Ajnshtajnit në Tiranë.

“Ajnshtajni është një personazh i cili ka ardhur në Tiranë, ka qëndruar aty ku sot njihet si Shtëpia me Gjethe. Në vitin 1930 ka qënë një klinikë onkologjike që shërbente si maternitet. Kur Hitleri i shpalli luftë Hebrenjëve, Ajnshtajni i cili njihet si hebreu më i famshëm i botës, iku nga Austria në Itali e më pas erdhi në Shqipëri ku morri nga Ahmet Zogu një pasaportë shqiptare për tu larguar në Amerikë”, shpjegoi Blushi.

Një ngjarje që ngjall interes në roman është edhe plani çifut që do ta bënte Tiranën, Jeruzalem. Sipas Blushit 38 historitë që vijnë në këtë roman mund të lexohen pavarësisht nga njëra-tjetra, pasi janë libra më vete. Ajo që e shqetëson autorin më shumë sot është e ardhmja e shoqërisë tonë.

“Ajo që më shqetëson sot është se ku po shkon shoqëria jonë dhe në të gjitha librat e mi unë merrem me këtë fakt, ne po humbim popullësi, po zbrazet Shqipëria çdo ditë dhe ashtu siç po ndodh në Europë, mund të popullohemi nga popuj të tjerë mbas 20-30 vitesh”, tha Blushi i cili tashmë larg politikës dhe angazhimeve mediatike shtoi se jeton vetëm për të shkruar. “Ky është qëllimi i jetës time, një shkrimtar që humb raportin e lexuesit vuan, dhe unë nuk dua ta provoj këtë ndjesi”, përfundoi ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›