E Premte, 6 Nëntor 2026

“Grepi i Artë”, premierë në Durrës, komedia trajton marrëdhëniet njerëzore të ndikuara nga teknologjia

“GREPI I ART˔ ishte komedia premierë që u shfaq mbrëmjen e së enjtes në durrës  nga trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Komedia e shkruar nga  Bashkim Hoxha, u drejtua nga regjisorja Najada Elmazi e cila kishte përzgjedhur 7 aktorë për vënien në skenë të shfaqjes.

Pjesa ka në thelb marrëdhëniet njerëzore në epokën e Inteligjencës Artificiale. Çfarë ndodh kur dyshimi për tradhti hap një rrjetë intrigash, përgjimesh dhe sekretesh, ku askush nuk është aq i pafajshëm sa duket?  Përgjimet, kamerat e fshehta dhe maskimet zbulojnë një botë ku të gjithë vëzhgojnë njëri-tjetrin, por askush nuk është i sigurt se kush po e kontrollon lojën.

“Për mua ishte një kënaqësi e madhe që ta shikoja në skenë komedinë time, për më tepër që 50 vjet më parë me këtë trupë unë kam pasur edhe dramën time të parë. Kënaqësinë më të madhe ma dha fakti për mënyrën se si është lexuar komendia dhe si është interpretuar ajo duke e vendosur në një kontekst bashkëkohor.“, shprehet Najada Elmazi, regjisore.

“Mendoj dhe shpresoj qe publikut ti dhurojmë shumë të qeshura dhe ti vëmë në mendime për jetën dhe privatësinë e tyre. Jetët tona nuk janë më private tashmë. Publiku, edhe nëse nuk je drejtpërdrejt tek një nga personazhet, mirë është që të njoheh dikë që je më afër, personazhi krijohet nga jetët e krijuara. Besoj se publiku do ta presi mirë”. , tha aktorja Julia Iliriani.

Reklamë

Ndërsa aktorja Mimoza Marjanaku shprehet:

“Unë kam rolin e parukieres, ajo është në fakt ish-dedektive. Dhe unë i “kref” të gjithë që vijnë tek unë. Ky është realiteti i ditëve të sotme”. Jemi produkt i kohës, po aq sa koha është produkti ynë. Jemi në epokën e AI dhe ndodh gjithcka. Publiku durrsak është i pranisëm sa herë jemi me shfaqje“.

Komedia do të shfaqet përgjatë gjithë kësaj jave, ndërsa në të interpretojnë edhe aktorët Neritan Liçaj, Era Çaushi, Ervin Doko, Marvin Tafaj dhe Xhejni Fama.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›