11 maji, Berisha: Nuk kishte proces zgjedhor, por një farsë

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i cilësoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit si “një farsë zgjedhore”.
Në një deklaratë për mediet Berisha tha se është shkelur hapur dokumenti i Kopenhagenit, Kushtetuta e vendit dhe Kodi Zgjedhor.
“Në ligjet ndërkombëtare, dokumentin e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, Kushtetutën e vendit dhe kodin zgjedhor, kërkohet që në një proces zgjedhor të zhvillohet në përputhje me përcaktimet e këtyre ligjeve, këtyre parimeve. Në të kundërt ai nuk është një proces zgjedhor, por një farsë zgjedhore. Në këto zgjedhje u shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta, për të cilat Shqipëria ka firmosur dokumentin e Kopenhagenit”, theksoi Berisha.
Sipas Berishës “ajo që ka ndodhur me 11 Maj, dhe të gjithë periudhën pararendëse, për zgjedhjet e 11 Majit, është një përmbysje e plotë e parimeve më themelore të zgjedhjeve të lira, të cilat kërkojnë që zgjedhësit të shprehin mendimin e tyre lirshëm për përfaqësuesit që zgjedhin”.
“Është bërë tashmë e njohur se kontrolli i vullnetit të zgjedhësve ishte i gjithëformshëm, i shumëformshëm dhe i përhapur në mbarë vendin”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se “në këto zgjedhje dhe në këtë vend u shkel një parim tjetër ndër më themelorët i një sistemi demokratik. Parimi kusht që ndan shtetin ligjor nga shteti partiak. Dhe kjo ndodhi në mijëra e mijëra raste”.
Berisha shtoi se që në momentin kur t’i garon me një parti shtet, ato nuk janë zgjedhje por janë farsë elektorale.
“Merr fund procesi zgjedhor sepse garë nuk ka. Gara është fiktive për arsye se ti ke në fushë në ndeshje një shtet që ka mbrapa buxhete miliardash, që ka një logjistikë të pafundme, që ka të gjitha mjetet e dhunës dhe një apo disa forca politike pa asnjë lloj mjeti mbrojtës ndaj këtij shteti barbar në raport me zgjedhjet”, u shpreh Berisha.
/a.f/