E Diel, 1 Nëntor 2026

113-vjetori i Policisë së Shtetit, drejtuesi i Policisë së Qarkut Vlorë: Misioni ynë mbetet garantimi i rendit dhe sigurisë

Në një aktivitet të zhvilluar për 113-vjetorin Policisë së Shtetit, në ambientet e Komisariatit të Policisë së Qarkut Vlorë, kanë marrë pjesë efektivë dhe punonjës të policisë në detyrë, por edhe ata të dalë në pension. Prezentë në këtë ceremoni, krahas drejtuesve më të lartë të Policisë së Qarkut, ishte edhe prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se kjo është një ditë e rëndësishme për të përkujtuar, vlerësuar dhe respektuar 113 vite histori, suksesesh, sakrifice dhe përkushtimi. Sipas Çelës, misioni i Policisë së Shtetit gjatë këtyre 113 viteve ka qenë garantimi i rendit dhe sigurisë publike, mision i cili është përmbushur me devotshmëri. Sot, sipas tij, Policia e Shtetit përfaqëson një institucion profesionist, në krah të qytetarëve.

Edhe Prefektja e Qarkut Vlorë theksoi rëndësinë e strukturës së Policisë së Shtetit. Allushi vlerësoi punën e efektivëve, duke i cilësuar ata të gatshëm kurdoherë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Evis Allushi ka edhe një thirrje drejtuar qytetarëve që të kenë besim, por edhe ta mbështesin Policinë e Shtetit në punën e saj.

113-vjetori e gjen Policinë e Vlorës me disa aksione të suksesshme, parandalimin e disa ngjarjeve kriminale, arrestimin e dhjetëra personave, por mbi të gjitha edhe me një punë të madhe dhe sfida për t’u përmbushur në të ardhmen, për garantimin e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›