E Hënë, 2 Nëntor 2026

14-vjeçari nga Pogradeci ndërton radar që detekton objekte dhe njerëz

Ky është 14-vjeçari Alket Zeqollari nga Pogradeci. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij që internetin e shfrytëzojnë për rrjete sociale si TikTok e Snapchat, ai ka punuar dhe studiuar fort për t’i marrë teknologjisë më të mirën dhe për të krijuar pajisje me funksione të caktuara.

Së fundi, Alketi ka ndërtuar një radar, i cili përmes valëve arrin të detektojë objekte dhe njerëz. Sipas tij, ky radar që aktualisht është vetëm një prototip – mund të sinjalizojë në kohë reale çdo person të panjohur që i afrohet banesave apo institucioneve.

“Ky është një radar që përdor frekuencat e valëve për të matur distancën e objekteve të detektuara. Nëse përdorim një sensor që kap një largësi edhe më të madhe, mund ta përdorim në shtëpi, në biznese, fabrika apo uzina. Mund ta programojmë që familjarët ose personat që u besojmë të kenë akses në banesën tonë. Por, nëse është një person i huaj që programi nuk e autorizon, atëherë ndalohet hyrja në banesë apo biznes”, tha i riu.

14-vjeçari, i apasionuar pas programeve të kodimit, thotë se tashmë ka filluar punën për ta shndërruar prototipin e radarit në një pajisje funksionale gjithçka me kosto personale me qëllim që së shpejti të krijojë edhe aplikacionin përkatës.

“Kam menduar ta vazhdoj si projekt, pasi ky është vetëm një prototip. Ka kosto për pajisje me teknologji më të avancuar, të cilat kërkojnë më shumë shpenzime. Besoj se do të ndërtoj edhe aplikacionin, në mënyrë që të jetë i aksesueshëm për të gjithë ata që blejnë këtë pajisje”, tha ai.

Gazetare Kostanca Koçi

/rtsh.al

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›