E Diel, 1 Nëntor 2026

15 milionë lekë nga pasuritë e krimit për projekte sociale, Koçiu: Organizatat Jofitimprurëse të aplikojnë deri më 9 mars

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka shpallur sot një nismë të re që synon të shndërrojë pasuritë e konfiskuara nga krimi në mbështetje për shtresat më në nevojë.

Përmes një fondi prej 15 milionë lekësh, të siguruar nga pasuritë e sekuestruara, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka hapur thirrjen për aplikim nga Organizatat Jofitimprurëse. Qëllimi i kësaj nisme është që goditja ndaj krimit të kthehet në projekte me impakt real, duke ofruar shpresë dhe mbështetje për komunitetet në vështirësi.

“Pasuritë e krimit kthehen në shpresë dhe mbështetje. Përmes një fondi prej 15 milionë lekësh, të siguruar nga pasuritë e konfiskuara, hapim sot thirrjen për aplikim për ta shndërruar goditjen ndaj krimit në projekte me impakt real  në shërbim të shtresave më në nevojë. Ftoj të gjitha Organizatat Jofitimprurëse të aplikojnë deri më 9 mars 2026 dhe të bëhen pjesë e kësaj nisme të përbashkët“, shkruan Koçiu.

Fushat prioritare të ndërhyrjes përfshijnë, ndër të tjera:

-rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë;

-parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit;

-rehabilitimin dhe trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike;

-mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës;

-asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.

Aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë në objektin e veprimtarisë së tyre një ose më shumë nga këto fusha. Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 9 mars 2026. Informacione të detajuara mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurën e aplikimit gjenden në faqen zyrtare të AAPSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›