17 infermierë të rinj i bashkohen shërbimit të Onkologjisë në QSUNT

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Shtatëmbëdhjetë infermierë të rinj i janë bashkuar ekipeve shëndetësore në spitalet publike në vend, duke plotësuar nevojat dhe duke forcuar më tej shërbimet shëndetësore për qytetarët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se këta 17 infermierë të rinj i janë bashkuar ekipit të shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke sjellë më shumë profesionistë, më shumë kapacitete dhe më shumë kujdes pranë pacientëve.
“Çdo profesionist i ri është një hap më shumë drejt një shërbimi më të fortë, më cilësor dhe të përqendruar te nevojat e pacientëve”, shkruan MSHMS.
Që prej rihapjes në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve dhe infermierëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.
Procesi i punësimit nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” vijon të garantojë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e qytetarëve.
/e.i/r.e/a.f/