STRASBURG – Zelensky nënshkruan marrëveshjen për themelimin e Gjykatës Speciale

STRASBURG, 26 qershor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky miratoi dje zyrtarisht planet për të ngritur një gjykatë të re ndërkombëtare për të ndjekur penalisht zyrtarët e lartë rusë për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, sipas AP.
Tribunali special do të krijohet nëpërmjet një marrëveshjeje midis Ukrainës dhe Këshillit të Evropës, organit më të lartë të të drejtave të njeriut në kontinent.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Këshillin e Evropës në Pallatin e Evropës, në Strasburg për të krijuar një Tribunal Special për Krimin e Agresionit kundër Ukrainës.
Tribunali special synon të shënjestrojë udhëheqësit e lartë rusë për “krimin e agresionit”, i cili mbështet krimet e panumërta të luftës – që Ukraina akuzon forcat ruse se kanë kryer që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.
Gjykatat ndërkombëtare ekzistuese, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, nuk kanë juridiksion për të ndjekur penalisht shtetasit rusë për këtë vepër specifike penale.
Që nga fillimi i konfliktit, Kievi ka rritur përpjekjet për krijimin e një gjykate speciale që shkon përtej ndjekjes penale të krimeve të luftës – që Ukraina pretendon se forcat ruse kanë kryer – duke përfshirë bombardimin e infrastrukturës civile, vrasjen e civilëve, përdhunime, marrjen e pengjeve dhe torturat. Rusia i ka mohuar këto akuza.
Ka ende detaje logjistike që duhen zgjidhur, duke përfshirë se ku do të vendoset gjykata. Haga është sugjeruar për shkak të infrastrukturës së saj ekzistuese ligjore, por nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.
Rusia nuk i ekstradon qytetarët e vet dhe mbetet për t’u parë nëse presidenti rus Vladimir Putin do të përfundojë ndonjëherë në bankën e të akuzuarve.
Sipas ligjit ndërkombëtar, krerët e shteteve në detyrë dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë – shpesh të referuar si “troika”, duke përfshirë kreun e shtetit të një vendi, kreun e qeverisë dhe ministrin e Jashtëm – gëzojnë imunitet nga ndjekjet penale.
Kjo do të thotë që çdo padi e mundshme ndaj Putinit mund të ecë përpara vetëm nëse ai largohet nga detyra. Nuk ka statut kufizimi për krimin e agresionit.
Institucioni do të financohet nga vendet mbështetëse të njohura si Grupi Bazë, duke përfshirë Holandën, Japoninë dhe Kanadanë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetën projektin nën drejtimin e ish-presidentit Joe Biden, por administrata e presidentit Donald Trump nuk e mbështeti iniciativën. //a.i/