“2 mln euro kredi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme”, Rama takim me agroturizmin në Tiranë: “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, prioritet i qeverisë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë ku foli për “Paketën e Maleve”.
Një program që, sipas mazhorancës, ka shfaqur shumë interes ndërsa me fazat në vazhdim të këtij procesi pritet t’i jepet një impuls i ri industrisë së turizmit në Shqipëri.
Sipas Ramës, programi “dyfisho ndërmarrjen tënde” do të jetë prioritet i qeverisë, ndërsa premtoi se do të merret përsipër mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të cilat do të jepen deri në 2 milionë euro kredi.
“Qeveria shqiptare do të marrë përsipër që të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne do i mbështesim me anë të kredive që do të japë Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë. Do të jepen deri në 2 milion euro kredi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ne e kemi quajtur ‘dyfisho ndërmarrjen tënde’, por nuk do të thotë që e dyfishojmë. Mund dhe ta rrisim 50 përqind ose dhe ta trefishojmë. Kjo bëhet falë mbështetjes që jep qeveria, me një kredi, që ka interesa më të ulëta si kreditë e zakonshme”, tha ndër të tjera kryeministri.
Sipas tij, “Paketa e Maleve” është programi më i mirë, që i jep hov zhvillimit të zonave rurale me anë të turizmit.
“Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh, që është ligji 7501. Shumë vetë kanë para, por nuk kanë titullin e pronësisë. Tashmë, me anë të Paketës së Maleve, mund të investojë çdokush, duke marrë leje tek Bashkia. Bashkia e merr kërkesën, afishon një listë për 45 ditë dhe e bën publike kërkesën. Ligji është për ata që nuk kanë konflikte me askënd për tokën. Në 45 ditë duhet të vijë një kundërshtim i argumentuar. Nëse nuk vjen, lista vjen në Këshillin Bashkiak, që e miraton. Nuk merr titull pronësie, por ke të drejtë vetëm të investosh aty. Aplikon me projekt, miratohet projekti dhe ti ndërton. Vetëm pasi ke përfunduar ndërtimin, ti e merr titullin e pronësisë. Nëse shfaqet dikush që pretendon pronën me argumente, atëherë merret shteti me atë person. Nëse ky i fundit vërteton që toka është e tij, i takon shtetit që ta trajtojë atë individ. Programi është vetëm për ata, që duan që të ndërtojnë në tokën e paraardhësve dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë”, tha Rama.
Më tej, Rama këshilloi se kultura e shërbimit është shumë e rëndësishme për turizmin.
“Shërbimi është shumë i rëndësishëm dhe çmimet duhet të jenë jo të larta, aq sa të lemeriset turisti. Ka shumë rëndësi kjo pjesë, që Shqipërinë ta vizitojnë sa më shumë njerëz. Për këtë, na duhet një kulturë e mirë e shërbimit. Turizmi duhet të jetë prioritet i yni, sepse sjell të ardhura të qëndrueshme dhe rrit ekonominë e vendit”.