“20 sekonda tmerri”, shqiptarja në Spanjë sjell dëshmitë rrëqethëse nga tragjedia hekurudhore/ Historia e familjes që u shua pas ndeshjes së futbollit

Një tragjedi e rëndë hekurudhore ka goditur Spanjën jugore mbrëmjen e së dielës, duke shkaktuar të paktën 41 viktima dhe mbi 120 të plagosur.
Në një lidhje direkte nga Spanja për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, pianistja shqiptare që jeton në Madrid, Melisa Zaganjori, flet për këtë ngjarje të rëndë.
“Për aksidentin mësova për shkak të miqve tanë muzikantë të cilët udhëtojnë për koncerte. Trenat janë forma jonë më e shpeshtë e udhëtimit. Edhe bashkëshorti im është nga ata që e merr këtë tren dhe shkon në jug të Spanjës për koncerte. Shoqja ime Ana që është nga Kordoba do merrte atë ditë atë tren por e ndryshoi në moment të fundit sepse pati një koncert tjetër. Mund të jetë kushdo nga ne. Është e trishtë”.
Aksidenti, i cili ndodhi në afërsi të Adamuzës në Kordoba, përshiu dy trena të shpejtësisë së lartë.
“Në fillim tre vagonët e fundit të trenit të Iryo-s dolën nga shinat duke përplasur vagonin e parë të trenit të Alvia-s që ishte në hekurudhën ngjitur. Makinisti nuk pati kohë të reagonte se çdo gjë ndodhi në 20 sekonda”.
Mediat në Spanjë raportojnë për 41 viktima dhe më shumë se 120 të plagosur.
“Treni i Alvia-s, i cili ka rënë nga 4 metra lartësi, ende nuk është ngritur që të mësohet se sa janë viktimat. Mund të presim rritje të numrit të tyre”.
Zaganjori tregon se dëshmitarët e kanë përshkruar vendngjarjen si një skenë danteske, ku realiteti e kalonte imagjinatën.
“Më rëndë se në filmat horror, me njerëz që ulërinin, qanin dhe humbnin ndjenjat”. Më tej ajo shton se dëshmitë janë vërtetë rrëqethëse. “Një familje që kishte ardhur në Madrid për të parë një ndeshje futbolli, si një dhuratë e prindërve për fëmijët, humbën jetën të gjithë përveç vajzës së tyre të vogël që kishte mundur të dilte nga dritarja. Po kështu një tjetër vajzë që kishte të motrën shtatzënë 5-muajshe. Kishte humbur bashkëshortin e të motrës dhe qenushin e saj. Në tren nuk kishte drita, njerëzit ishin shkelur me njëri-tjetrin, dhe ajo që bërtiste: kujdes se motra ime është shtatzënë. Tani është në spital në gjendje kritike bashkë me bebin. Janë dëshmi shumë të trishta. Është një tragjedi shumë e madhe. Është aksidenti më i madh në historinë e Spanjës në këto 34 vite që është në funksionin treni i shpejtësisë së lartë”.
Deri më tani pika kryesore e hetimit është çarja në shinën e djathtë të hekurudhës. “Kanë gjetur një boshllëk 30 centimetra në shinën e hekurudhës, që mund të jetë shkaku i aksidentit”, shpjegon Zaganjori duke shtuar se kjo është një ngjarje e paralajmëruar. “Ai segment i hekurudhës ka pasur probleme që në qershorin e vitit të kaluar. Makinistët kanë thënë që ndjejnë shumë dridhje kur janë në atë segment. Nuk dihet nëse janë marrë parasysh këto paralajmërime të makinistëve. Shokët tanë që e marrin shpesh këtë tren, po ashtu dhe bashkëshorti im, kanë ndjerë dridhje si dhe vonesa që nga viti i kaluar”.
Sipas Zaganjorit mes viktimave dhe të plagosurve të identifikuar nuk ka shqiptarë. “Ne në Madrid kemi një grup me ambasadën tonë dhe jemi në kontakt me njëri-tjetrin. Me sa shoh nuk ka pasur shqiptarë”.
Ajo sqaron se Spanja harxhon 45% më pak se Italia dhe Franca në sistemin hekurudhor. “Tani ka më shumë kompani që operojnë. Niveli i përdorimit të trenave është më i shpeshtë. Është normale që të jetë e nevojshme që hekurudhat të kenë më shumë mirëmbajtje. Uroj që kjo ngjarje të ndërgjegjësojë që të bëhet mirëmbajtja e hekurudhave dhe të jepet shërbimi i duhur për të gjithë qytetarët”.