3 vrasje në një ditë, PD: E “martë e zezë” për vendin. Policia dhe qeveri që nuk kanë prioritet jetën dhe sigurinë

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar ashpër pas një serie ngjarjesh të rënda kriminale që kanë ndodhur sot në vend. Në një deklaratë për media, PD e ka quajtur ditën e sotme një “të martë të zezë” për Shqipërinë, pas tre vrasjeve me thikë në Durrës, Tiranë dhe Berat, si dhe një të plagosuri me tritol në Shkodër.
PD ngriti alarmin për rolin e policisë, të cilën e akuzon për paaftësi dhe pandjeshmëri ndaj qytetarëve, duke e quajtur “Polici e narkoshtetit”. Sipas deklaratës, qeveria aktuale nuk ka prioritet jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por ndarjen e drogës, territorit dhe ndikimin elektoral me bandat.
“Dita e sotme është kthyer në një të ‘martë të zezë’ për Shqipërinë. Tri vrasje me thikë, në Durrës, Tiranë dhe Berat, dhe një i plagosur me tritol në qytetin e Shkodrës, flasin për gjendjen e terrorit ku është zhytur vendi dhe humbjen e kontrollit nga një qeveri që qeveris me Diellën dhe ‘Kryeministrin diell’.
Në të njëjtën kohë ne ngrejmë alarmin për rolin e spektatorit në raport me rendin e sigurinë ku e ka lëshuar veten Policia e narkoshtetit, duke treguar jo vetëm paaftësi, por edhe pandjeshmëri ndaj qytetarëve dhe rendit publik.
Dhuna nuk është zgjidhja, dhe aq më pak është zgjidhja një Polici dhe qeveri që nuk ka prioritet jetën dhe sigurinë e shqiptarëve, por ndarjen e drogës, territoreve dhe ndikimit elektoral me bandat. Në shtetin e Ramaduros, ka vetëm terror, frikë dhe vrasje”, thotë PD.
PD i ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave dhe ka bërë thirrje që drejtësia të veprojë me baraspeshë, duke paralajmëruar se çdo akt vetëgjyqësie duhet shmangur.
Gjatë ditës së sotme një shpërthim me tritol ka trondit Shkodrën. Lënda plasëse i është vendosur një mjeti të parkuar e për pasojë ka mbetur i plagosur punonjësi i Tatimeve, E.B.
Gjithashtu një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Shkallnur, Durrës, ku një i ri ka vrau me thikë babain e tij.
Edhe në Tiranë një person humbi jetën, pasi u vra me thikë nga kolegu i tij në një lokal në zonën e Komunës së Parisit. Ndërsa në Berat një fotografi është bërë shkak për humbjen e një tjetër jete po me thikë.
/rtsh.al/