35.15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore në vitin 2027, Karakaçi: Në fokus do të jenë Korridori VIII dhe Korridori Blu

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të financojë me 35,15 miliardë lekë zhvillimin e infrastrukturës rrugore në vitin 2027. Ministri Enea Karakaçi, tha se “ky është fondi që buxheti i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e rrugëve”.
Sipas tij, “dy projekte madhore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, duke krijuar kushtet për përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër”.
“35.15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore në vitin 2027. Ky është fondi që buxheti i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e rrugëve. Por, përtej shifrës, çfarë do të thotë kjo konkretisht? Dy projekte madhore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, duke krijuar kushtet për përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër.
Ndërkohë, një tjetër vepër e rëndësishme, bypassi i Elbasanit, kalon tashmë në një skemë të re financimi, përmes buxhetit të shtetit, duke i dhënë një perspektivë të re vijimit dhe realizimit të këtij projekti. Viti 2027 sjell gjithashtu një shtysë të rëndësishme për projektet që janë në proces zhvillimi. Në fokus do të jenë Korridori VIII dhe Korridori Blu, i cili po merr jetë përmes projekteve koncensionare, Kashar – Rrogozhinë, punimet e të cilit nisin në fund të këtij viti, Lekaj – Fier dhe Milot – Balldren, për të cilët jemi afër nënshkrimit të kontratës që i hap rrugën finalizimit të projektit të zbatimit, për të nisur nga puna”, tha Karakaçi.
Karakaçi theksoi se ARRSH po finalizon dhe po vazhdon punët për të bërë projekte të reja rrugësh. Ai nënvizoi se objektivi i qeverisë është që të ndërtojnë një infrastrukturë rrugore moderne që përmirëson lidhjen mes qyteteve dhe rajoneve. Sipas Karakaçit ky forcon edhe integrimin e Shqipërisë me rrjetet evropiane të transportit
“Nuk mungojnë projektet e reja, siç janë hyrja veriore e Tiranës që tashmë bypass-on Kamzën, apo rruga Berat-Skrapar, si dhe hyrja verilindore e Tiranës që bën lidhjen ndërmjet Tiranës dhe Rrugës së Arbrit, të cilat po ashtu financohen përmes këtij buxheti. Ndërkohë ARRSH po finalizon dhe po vazhdon punët për të bërë projekte të reja rrugësh. Kemi në proces 3 rrugë që do të shihet mundësia për ti financuar, Koplik-Bogë-Theth, Rruga e Vjosës dhe lidhja Rrëshen – Mirditë.
Objektivi ynë është i qartë. Të ndërtojmë një infrastrukturë rrugore moderne, më të sigurt dhe më të qëndrueshme, që përmirëson lidhjen mes qyteteve dhe rajoneve dhe forcon integrimin e Shqipërisë me rrjetet evropiane të transportit. Ky është një buxhet që nuk mbështet vetëm investimet e vitit 2027, por edhe vizionin dhe strategjinë tonë afatgjatë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri”, shtoi ai.