Sa para ka marrë KAYO? Kapri dhe Nufi përplasje për çështjen nën hetimin e SPAK

Debate në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve Erald Kapri dhe Isuf Çela lidhur me fondet publike për shoqërinë KAYO, prodhimin e armëve në Shqipëri dhe kontratat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe hetimi i nisur nga SPAK për KAYO-n, ndërsa deputeti Kapri kërkoi të dinte sa para publike ka përfituar kjo shoqëri dhe nëse janë parashikuar fonde të tjera në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Ministri Nufi deklaroi se KAYO ka marrë vetëm 3 milionë euro si kapital themeltar, duke sqaruar se kontratat tregtare të lidhura për llogari të Forcave të Armatosura janë të ndryshme nga financimi i drejtpërdrejtë i shoqërisë.
I pyetur për prodhimin e armëve në Shqipëri, ministri sqaroi se shoqëria AAT nuk e ka nisur ende prodhimin, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për trafik apo ripaketim municionesh.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu te tenderi prej 15 milionë eurosh për blerjen e tre avionëve zjarrfikës, mirëmbajtja e helikopterëve Kugar dhe financimi i rezervistëve.
Erald Kapri: Kam pyetje për një çështje që ka marrë vëmendjen e publikut, por dhe emri juaj ka qenë në qendër të akuzave, që ka të bëjë me KAYO-n.
Pra, kemi një hetim të nisur nga SPAK për KAYO-n, për pabarazi në tender, shpërdorim detyre.
Sa para publike janë dhënë deri më sot për KAYO-n? Për buxhetin e vitit të ardhshëm keni parashikuar fonde sërish që KAYO të marrë para publike, ndërkohë që SPAK heton? Ndërkohë që KAYO është në hetim, keni programuar para të tjera për KAYO-n?
Ju keni një muaj, zoti ministër, që përgënjeshtroni veten. Keni thënë në një interpelancë në Parlament se së fundmi kemi shoqërinë AAT që prodhon armë që janë në përdorim dhe këto armë janë në përdorim në konflikte diku dhe jo patenta fiktive. Më pas keni thënë që ne nuk kemi kapacitetin për të prodhuar armë, nuk prodhojmë armë dhe në Shqipëri nuk bëhet trafikim armësh.
Na sqaro dhe një herë, a prodhohet apo jo armë në Shqipëri? A ekziston mundësia që këtu po bëhen ripaketime, siç e dimë nga historia e Gërdecit apo dhe e filmit “War Dogs”, që ripaketonin municione kineze për t’i çuar në Afganistan dhe mund të bëjnë të njëjtën gjë këtu?
– Ju keni bërë një tender prej 15 milionë eurosh për blerjen e 3 avionëve zjarrfikës, mirëpo doli që kompania fituese ishte dënuar për korrupsion në një vend anëtar të BE-së dhe ju në reagimin tuaj u mbrojtët që nuk ka një vendim përfundimtar, ka një vendim apeli, por e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Lartë.
Po nëse e humbasin në Gjykatën e Lartë, çfarë ndodh me këtë tender? Pra, ju e legjitimoni faktin që ministria zgjedh një kompani që është dënuar në një vend të BE-së për korrupsion?
– Ne para shumë vitesh si Shqipëri bëmë një investim të madh me blerjen e 4 helikopterëve Cougar, një investim i madh. Rrugës ka pasur probleme me mirëmbajtjen e tyre, kemi dhe aksidentin e 2016-s, ku 2 pilotë shqiptarë humbën jetën tragjikisht mbi Liqenin e Shkodrës.
Sa harxhoni për mirëmbajtjen e tyre dhe kush e bën, sepse do mirëmbajtje specifike ku duhet të përfshihen kompani të huaja?
– Ka pas një plan Ministria e Mbrojtjes që një pjesë të buxhetit ta përdorë dhe për paga të rezervistëve. Ekziston më në planin tuaj për të paguar rezervistë?
Ermal Nufi: Ne në qeverinë tonë punojmë shumë e mos me u marrë me fjalë. Për KAYO-n, shoqëria KAYO ka buxhet të miratuar me ligj buxheti, 3 milionë euro në total kapital themeltar të marrë. Në qoftë se ju doni të konsideroni para të marra nga KAYO kontratat e lidhura nga Ministria e Mbrojtjes, e keni gabim në koncept. Janë dy gjëra komplet të ndryshme. Shoqëria KAYO nuk ka marrë para për asnjë nga bashkëpunimet tregtare që ka, ka marrë vetëm 3 milionë euro për themelimin e tyre. Paratë që shoqëria KAYO ka kontraktuar për llogari të FA-së me këto shoqëri janë gjëra komplet të ndryshme. Në qoftë se janë lidhur kontrata, janë lidhur për përfitimin e shërbimeve dhe mallrave të cilat ne po i marrim.
Ne po operojmë për një shkollë fluturimi për pilotët tanë, kemi një bashkëpunim tregtar me Timak Defence për prodhimin e mjeteve të fortifikuara, të cilat ju thoni janë lyer me bojë e i kanë vënë target. Ne bëjmë një ndërhyrje në këto mjete në mënyrë thelbësore, se vishen me elemente sigurie që i mundësojnë përdorimin e tyre për FA. Nëse ju doni që ne të prodhojmë motorë e shasi, duhet të na vinit më shumë para në dispozicion, të ishim menduar një çikë ju para se t’i shkatërronit ato fabrika që i konsideruat për skrap. Shqetësimi ynë është që t’i kemi këto kapacitete në Shqipëri.
Në lidhje me akuzat për trafik dhe filmat, nuk merrem as me filma e as me spektakle emisionesh në darkë. Këto i bëjnë ata që i bëjnë. Kam pasur respekt për një deputet të opozitës që kam pasur respekt, i kam bërë një thirrje personale që të mos e bënte këtë punën e trafikut të armëve se do zhgënjehej shumë. Do zhgënjeheni shumë, shumë në fund të kësaj historie se i keni fryrë një retorike antikombëtare në qëndrimin tim.
Di që Shqipëria është një vend i NATO-s, di që jo vetëm nuk bën ato paketimet, ripaketimet, ku di unë çfarë thuhet vërdallë, por Republika e Shqipërisë ka marrë iniciativa ligjore, ka dy ligje të miratuara në Parlament. E vërteta është që ky Komision i Sigurisë është ai që duhet të na mbështesë më së shumti. Keni mandatin e popullit që ta ndihmoni sigurinë kombëtare e të mos bëni akuza e aludime.
Për helikopterët, mirëmbajtjen e bëjmë nëpërmjet NSPA, organizata që NATO ka. Mirëmbajtja bëhet në një shtet të Europës, një nga kompanitë më të mira në botë, në Zvicër. Rezervistët, ne kemi bërë një kuadër ligjor për ta. Në momentin që kërkohet angazhimi i tyre, do jemi në gjendje të kompensojmë ata punëdhënës.
Për sa i përket deklaratave, nëse deklarata ime është keqkuptuar, unë do e them prapë. Shoqëria AAT ka marrë përsipër të prodhojë në bazë të patentave që ajo ka vënë në dispozicion. Sot AAT nuk ka filluar ende prodhimin. E vërteta është e vërtetë. Bën vaki që shoqëria mund të thotë se kaq shumë baltë hidhet në Shqipëri, nuk ia vlen fare të prodhohet në Shqipëri, dhe ajo ditë mund të vijë, por e vërteta është që për shoqërinë AAT, TIMAK, apo për shoqëritë e tjera që kemi angazhim, nuk kemi dhënë asnjë cent për të kaluar për krijimin e shoqërisë, përveç për regjistrimin e kapitalit fillestar që ne e kemi detyrim ligjor për ato aksione që ne kemi mbajtur. A kemi bërë kontrata? Patjetër që kemi bërë se na duhen ato mallra.
Erald Kapri: Sa keni parashikuar të që të bëni kontrata me Kajon vitin e ardhshëm? A mund të na jepni një shifër? Ndërkohë që Kajo dhe drejtuesit e saj janë në hetim nga SPAK. Pjesa tjetër zoti ministër, duke e cilësuar akuzat për trafik edhe si anti kombëtare, tani më fal, garancitë tuaja dhe të kryeministrit, kemi parë që kanë përfunduar që edhe kreu i SHISH të dalë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Dakord. Dhe garancitë tuaja, sipas të cilës çdo dyshim, çdo akuzë që hedh opozita, juve ju duket anti kombëtare, ndërkohë që ne na ka rënë shteti këtu, nuk mund të talleni në këtë formë. Sepse mund të jepni garanci sot, por po provohet e kundërta. Mes jush dhe prokurorisë ne besojmë prokurorinë. Ju thoni po bëjmë kontrata për ushtrinë, jemi patriotë, po blejmë armë, ndërkohë prokuroria po thotë keni anashkaluar ligjin për të vjedhur. Nuk mund të jesh dhe patriot dhe hajdut njëkohësisht.
Bledi Çuçi: Këto akuza janë të tepërta, mos abuzo me të drejtën e fjalës. Tani, e para punës besohet drejtësia, nuk besohet as prokuroria dhe as media sociale, apo thashetheme i kafes. Besohet drejtësia në fund me vendim gjykate të formës së prerë. Ajo është që besohet në shtet, në shtet demokratik dhe modern siç është Shqipëria. Të lutem shumë tërhiqe mbrapsht fjalën hajdut se këtu nuk mund të përdorim këto fjalë me kolegë, me njëri-tjetrin. Ndërsa nëse ka abuzime me buxhetin e shtetit, ka ku të vërtetohen. Këtu përgjigjen e more shumë mirë nga ministri, edhe për gjëra që nuk lidhen me buxhetin.