E Premte, 6 Nëntor 2026

240 kg kokainë dhe 14 milionë euro para të gatshme nga Shqipëria drejt Italisë, goditet organizata kriminale ndërkombëtare

Një organizatë kriminale ndërkombëtare, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Caveau 38”, i zhvilluar në bashkëpunim me SPAK-un në Shqipëri.
Hetimet kanë zbuluar një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte mes Shqipërisë, Italisë, Holandës dhe Gjermanisë. Sipas autoriteteve, grupi kishte trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa kishte transferuar rreth 14 milionë euro para të gatshme nga Italia drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza në Lecco, me autorizimin e Prokurorisë së Antimafias në Milano, ku u ekzekutua sekuestrimi parandalues i dy shoqërive tregtare që dyshohet se përdoreshin për pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Në total, 52 persona janë vënë nën hetim, përfshirë pronarët dhe administratorët e dy kompanive. Sipas prokurorit Marcello Viola, organizata merrej me trafikun e sasive të mëdha të kokainës, si dhe me grumbullimin dhe transferimin jashtë vendit të parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu pastrimin e parave përmes blerjes së metaleve të çmuara. Konkretisht, është zbuluar blerja e të paktën 8 kilogramëve shufra ari, përmes një kompanie që ushtronte aktivitet në përpunimin e metaleve të çmuara dhe kishte seli në Milano dhe Alessandria. Ndërkohë, një tjetër kompani në Lecco dyshohet se shërbente si kasafortë financiare e grupit, duke investuar paratë e paligjshme në pasuri të paluajtshme.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë 6 persona, ndërsa u sekuestruan 1.5 milionë euro para të gatshme dhe 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe kanabis. Për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit të dy kompanive dhe për të mbrojtur punonjësit, të cilët sipas hetimeve nuk kishin dijeni për veprimtarinë kriminale, është caktuar një administrator gjyqësor. Në operacionin ndërkombëtar morën pjesë edhe hetuesit e SPAK-ut, duke shënuar një tjetër bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›