E Diel, 1 Nëntor 2026

38 institucione publike, përfituese nga programi Interreg Europe 2021-2027

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian për programin e bashkëpunimit Interreg Europe 2021-2027 (Interreg VI-C).

Drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit në SASPAC, Klajdi Demko tha se, marrëveshja, e miratuar nga Komisioni Evropian më 23 korrik 2024, i mundëson Shqipërisë të përfitojë fonde nga Instrumenti për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA) për projekte ndërrajonale bashkëpunimi dhe shkëmbimi të praktikave më të mira evropiane.

Demko bëri të ditur se, deri tani 38 përfitues institucione publike, janë angazhuar në zbatimin e projekteve në kuadër të “Interreg Europe”, me një vlerë totale 3.7 milionë euro.

Sipas tij, Interreg Europe synon përmirësimin e politikave rajonale dhe zhvillimit territorial, përmes shkëmbimit të njohurive, përhapjes së praktikave të mira dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve publike. Programi fokusohet tek fushat: zhvillim inteligjent, qëndrueshmëri mjedisore, politika sociale, inovacion dhe qeverisje vendore.

Gjatë diskutimit fjalën e mori edhe relatori i pr/ligjit deputeti Ornaldo Rakipi.

Ai vuri në dukje se pr/ligj forcon bazën ligjore për të përfituar nga projektet e europiane ku siç tha ai, bujqësia, agroturizmi janë ndër sektorët kryesorë.

Projektligji përcakton gjithashtu strukturën e menaxhimit të programit në Shqipëri, me Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) si autoritet kombëtar përgjegjës për koordinimin, monitorimin dhe certifikimin e projekteve.

“Përfituesit shqiptarë do të kenë mundësi të aplikojnë për projekte bashkëpunimi ndërkombëtar, duke zhvilluar rrjete bashkëpunimi me homologët evropianë dhe duke përvetësuar praktika të suksesshme të zhvillimit rajonal në vendet e Bashkimit Evropian”, vuri në dukje deputeti socialist.

“Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe modernizimit të politikave publike në Shqipëri, duke ofruar instrumente ligjore dhe financiare për projekte të qëndrueshme dhe efektive rajonale”, u shpreh Rakipi.

Referuar relacionit që shoqëron këtë pr/ligj programi ka një buxhet total prej 493 milionë eurosh, ku pjesa më e madhe sigurohet nga Bashkimi Evropian (rreth 394 milionë euro), ndërsa pjesa tjetër përbën bashkëfinancimin e shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria, si vend përfitues, pritet të përfitojë rreth 2 milionë euro për periudhën e zbatimit të programit.

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, foto: Florian Abazaj 1 nga 3

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›