E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria aktivizohet në nëntë programe IPA III

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Bujqësia është pjesë e projekteve të bashkëpunimit mes vendeve evropiane në kuadër të programit IPA III, bëri të ditur drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Klajdi Demko, gjatë prezantimit në Komisionin e Kuvendit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian për programin Interreg VI-C, Interreg Europe 2021-2027.

Demko sqaroi se aktualisht Shqipëria është anëtare në 9 programe të bashkëpunimit ndërterritorial, përfshirë 3 projekte me vendet rajonale dhe 6 projekte transnacionale. Ai theksoi se pjesëmarrja në këto projekte i mundëson vendit jo vetëm të aplikojë për financime ndërkombëtare, por edhe të përfitojë nga shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira evropiane.

Sipas tij, numri aktual i projekteve të financuara nga IPA III është 293, me një vlerë totale të kontraktuar prej 46,5 milionë eurosh, ndërsa parashikohet që numri i përgjithshëm i projekteve të kalojë 500 deri në përfundim të periudhës së IPA III. Ndërkohë që, në kuadër të IPA II u realizuan rreth 400 projekte.

Programet ndërkombëtare kanë fokus kryesor tek sektorët e digjitalizimit, rritjes së konkurrueshmërisë, zhvillimit të një Europe më të gjelbër, që përfshin edhe mjedisin, klimën dhe bujqësinë. Sektori i bujqësisë në veçanti përfiton nga shkëmbimi i përvojave dhe praktikat më të mira për teknologjitë e reja, menaxhimin e tokave dhe zhvillimin rural.

Demko theksoi gjithashtu se pjesëmarrja e Shqipërisë në këto projekte kontribuon në forcimin e kapaciteteve të institucioneve publike, përmirësimin e politikave rajonale dhe integrimin e praktikave të suksesshme të Bashkimit Evropian. Ai vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›