“3D” në RTSH – Alibeaj akuzon Presidentin për shkelje të rëndë pas dekretit për zgjedhjet në Tiranë

Emisioni “3D” në RTSH me Alban Dudushin, ka sjell në vëmendje të premten shkarkimin e ish kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dhe çfarë ndodh pas shkarkimit të tij dhe ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, si dhe dekretin e Presidentit për zgjedhjet, që u caktuan të zhvillohen në datën 9 nëntor.
A kishte të drejtë Presidenti të shpallte datën e zgjedhjeve, apo duhet të priste vendimin e Kushtetueses? Çfarë pritet të ndodhë më bashkinë më të madhe ne vend? Pse opozita nuk po publikon ende një emër konkurrues përballë kandidates së PS-së, Ogerta Manastirliu? Të gjitha këto pyetje janë trajtuar me të ftuar në studio si: Enkelejd Alibeaj, ish deputet PD, Arion Sulo analist, Ergys Mërtiri, analist, si dhe Redi Muçi, deputet “Levizja Bashkë”.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka ngritur shqetësimin për një krizë kushtetuese në vend, pas dekretit të Presidentit për caktimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës më 9 Nëntor.
Alibeaj akuzoi Presidentin se është në shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi nuk duhej të vepronte deri sa të prononcohej Gjykata Kushtetuese për shkarkimin e ish-Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Alibeaj argumentoi se veprimi i Presidentit, i cili caktoi datën e zgjedhjeve pasi Qeveria dërgoi njoftimin për vendin vakant, ishte i nxituar dhe shkelte parimin e pezullimit të vendimeve kur ato ankimohen.
“Presidenti është në shkelje të rëndë. Kushtetuta… siç lexohet ashtu kuptohet. Ka më shumë se 20 raste që janë shkarkuar kryetarë të bashkive dhe kur është bërë ankimimi në Kushtetuese është pritur vendimi i gjykatës,” theksoi Alibeaj.
Ai shtoi se ky veprim përbën një “mësymje agresive ndaj pushtetit vendor” dhe se Presidenti “ka asgjësuar rolin e tij” duke iu përgjigjur një situate provokimi të krijuar nga Qeveria.
Rreziku i zgjedhjeve nëse fiton Veliaj
Alibeaj ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të ish-Kryetarit të Bashkisë: “Nëse fiton Veliaj çfarë bëhet me zgjedhjet?”
Ai vuri në dukje se shkeljet nisin që nga Qeveria që dërgoi shpalljen e vakancës, por theksoi se vetëm depozitimi dhe regjistrimi i ankesës në Kushtetuese e pezullon, duke e ngrirë çdo hap tjetër.
/rtsh.al/