E Martë, 3 Nëntor 2026

“3D“ në RTSH- Analisti Kalemaj: Kurti e ka futur Kosovën në një spirale, me mungesë zgjidhje

Për analistin Ilir Kalemaj, kriza e zgjatur politike në Kosovë ka një përgjegjës kryesor qeverinë e  Kryeministrit Albin Kurti. I ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH, Kalemaj deklaroi se kreu i qeverisë së Kosovës e ka futur vendin në një rrugë pa krye, duke humbur kohë të çmuar për integrimin dhe zhvillimin.

“Mua më duket se ai e ka futur qëllimisht Kosovën në këtë spirale, duke mos mundësuar zgjidhje,”, u shpreh Kalemaj, duke iu referuar ngërçit institucional.

Sipas analistit, fakti që Kosova rrezikon të shkojë në tre palë zgjedhje brenda një viti kalendarik është një sfidë e tepërt edhe për një shtet të konsoliduar, e jo më Kosovën që ka nevojë jetike për stabilitet.

Kalemaj preku edhe çështjen e heqjes së sanksioneve nga BE, duke e cilësuar si veprim të vonuar.

“Heqja e masave ndaj Kosovës nga BE-ja është një veprim për t’u përshëndetur, ndonëse i vonuar. Ndërkohë, Kosova ka humbur kohë në njohjet ndërkombëtare, ndërtimin e institucioneve, marrjen e fondeve etj. Barra e përgjegjësisë i takon qeverisë, konkretisht kryeministrit Kurti. Mua më duket se ai e ka futur qëllimisht Kosovën në këtë spirale, duke mos mundësuar zgjidhje”, tha Kalemaj.

Si shembull të kaosit, ai solli rastin e zgjedhjes së kryeparlamentarit: “Të bësh 50 raunde për të zgjedhur dikë dhe në fund të zgjedhësh tjetërkënd, është shprehje e kësaj spiraleje.”

“Ai mund të kishte negociuar me ndonjë subjekt politik si LDK, PDK, Nisma etj., për të gjetur një zgjidhje. Barra i takonte VV-së sepse kishte edhe më shumë mandate. VV, me sa kemi parë tani, ka ndryshuar tonin duke lënë hapësira për koalicione. Por pyetja është se përse nuk e bëri më parë këtë? Tonaliteti ka ndryshuar vetëm me PDK-në, duke e lidhur edhe me ndryshimin e drejtimit politik në krye të saj. Nuk pritet të ketë ndonjë ‘dorë magjike’ në këto zgjedhje. Janë të detyruar të gjithë të bashkëqeverisin”, tha Kalemaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›