“3D” në RTSH- Beqiri: KLP dhe KLGJ institucione jofunksionale, janë ndarë mes PS dhe PD

Reforma në Drejtësi, bilanci i saj ishin në fokus të debatit mbrëmjen e sotme në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH.
Avokati Idajet Beqiri, pjesë e panelit të diskutimit, lëshoi akuza ndaj organeve të reja të qeverisjes së gjyqësorit, duke i cilësuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) si institucione jofunksionale dhe politikisht të kapura.
Duke analizuar zanafillën e reformës, Beqiri pranoi se ndërhyrja ishte e domosdoshme pasi “sistemi ishte i kalbur”. Megjithatë, ai theksoi se procesi i Vettingut prodhoi edhe anomali.
“Vettingu hoqi edhe njerëz që nuk duhet të hiqeshin. Por pati edhe të tjerë që shpëtuan, ndonëse ishin të korruptuar, sepse gjetën forma dhe mbështetje politike për të shpëtuar,” u shpreh avokati.
Sipas Beqirit, dështimi më i madh strategjik i reformës ishte mosparashikimi i zëvendësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar. Ai e cilësoi mbështetjen vetëm te Shkolla e Magjistraturës si një “formë të dështuar” që nuk mund ta zgjidhë krizën.
“Kushdo që mendon se sistemi do të mbushet nga Shkolla e Magjistraturës, mendon gabim. Duhet urgjentisht që Parlamenti të bëjë ndryshime në ligjin për rekrutimin,” apeloi ai.
Kritikën më të ashpër avokati e rezervoi për organet drejtuese të sistemit. Ai deklaroi se mekanizmat e kontrollit të drejtësisë janë inekzistentë për shkak të paaftësisë dhe politizimit.
“Ka “vdekur” sistemi i kontrollit të drejtësisë. Kanë “vdekur” KLP e KLGJ se nuk dinë të kontrollojnë. Nuk e bëjnë se janë të paaftë dhe mënyra se si i drejtojnë kompromentohet ngaqë duan vota. I kanë politizuar, janë ndarë të PS dhe PD. Janë të kapur nga politika,” deklaroi Beqiri.
Në fund, për të zgjidhur problemin e “malit me dosje”, avokati sugjeroi një ndërhyrje teknike në vendimet gjyqësore, duke kërkuar eliminimin e arsyetimeve të tepërta dhe fjalëve boshe, për të rritur efikasitetin e gjyqtarëve.
/rtsh.al/