4,4 miliardë euro nga turizmi në 9 muaj

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se të ardhurat nga turizmi gjatë 9-mujorit të parë të vitit kanë qenë domethënëse duke arritur në rreth 4,4 miliardë euro.
Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Rama bëri një bilanc të arritjeve sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë.
Duke u ndalur te truizmi, Rama tha se ky sektor ka shënuar rritje pozitive.
“Edhe këtë vit ka shënuar nga pikëpamja e fakteve, jo e ‘tenxhereve’, kuptohet, një rritje pozitive. Në turizëm kemi një hop tjetër domethënës, krahasimisht me vitin 2024, ku shënohet një rritje që i afrohet 7% që është një rritje domethënëse për sa i përket numrit të vizitorëve të huaj. Nuk flasim për pasaportat shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ka pasur një rritje të konsiderueshme të hapësirës së plazheve publike me rreth 18% plus, krahasuar me një vit më parë, ose 1,1 milionë metra katrorë më shumë plazhe publike të shtuara.
“Nga 523 parcela ranore publike kemi shkuar në 1014 dhe në ndërkohë kemi vazhduar punën tani që flasim për sezonin e ardhshëm me disa risi të tjera pozitive në këtë drejtim”, shtoi ai. /j.p/r.e/