4729 kontrolle dhe 1778 analiza për pataten gjatë vitit 2025

TIRANË, 13 shkurt /ATSh/ Gjatë vitit 2025 janë kryer 4729 kontrolle vizuale në terren dhe 1778 analiza laboratorike për kulturën e patates në të gjithë vendin, në kuadër të Planit shumëvjeçar të monitorimit të dëmtuesve karantinorë, bën të ditur Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.
Sipas AKVMB-së, patatja është përcaktuar kulturë prioritare për shkak të rëndësisë strategjike që ka për bujqësinë dhe eksportet shqiptare.
Qëllimi i procesit të monitorimit është garantimi i pastërtisë fitosanitare, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe zgjerimi i tregjeve për eksport të sigurt drejt vendeve të BE-së dhe më gjerë.
Strukturat e inspektimit të Mbrojtjes së Bimëve kanë zhvilluar kontrolle të detajuara në terren dhe analiza laboratorike për identifikimin e hershëm të çdo rreziku të mundshëm, duke forcuar sigurinë e prodhimit vendas dhe besueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Programi i vrojtimit do të vijojë për periudhën 2025-2028, me fokus monitorimin e vazhdueshëm, ndërhyrjen e shpejtë në rast evidentimi të dëmtuesve karantinorë dhe rritjen e standardeve të sigurisë fitosanitare.
/e.xh/a.f/r.e/