8.8 mld euro për rritje pagash e pensionesh, investime dhe shërbime sociale. Kuvendi miraton buxhetin 2026

Kuvendi miratoi pas mesnate buxhetin e vitit 2026 me 81 vota pro dhe 16 kundër, duke i hapur rrugë një pakete financiare prej 886.7 miliardë lekësh (8.8 miliardë euro), i konsideruar si një ndër buxhetet më të mëdha të dekadës. Buxheti 2026 parashikon rritje të të ardhurave, zgjerim të programeve sociale, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe investime të rëndësishme në infrastrukturë, energji dhe sektorë të tjerë prioritarë.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 823.1 miliardë lekë, ose 29.6% të PBB-së, me një rritje prej 52.9 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.
• Tatimet dhe doganat priten të arrijnë në 531.1 miliardë lekë (+6.3%).
• Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në 197.9 miliardë lekë (+11.4%), si rezultat i rritjes së pagave dhe formalizimit të tregut të punës.
Shpenzimet totale parashikohen rreth 8.9 miliardë euro, me një rritje prej 550 milionë eurosh kundrejt buxhetit të rishikuar të vitit 2025.
Deficiti buxhetor mbetet në 2.3% të PBB-së, i njëjti nivel me këtë vit.
Borxhi publik parashikohet të ulet në 53.6% të PBB-së në vitin 2026.
Pensionet, prioriteti kryesor
Qeveria ka shpallur rritjen e pensioneve si një ndër shtyllat kryesore të buxhetit të ri. Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 1 653 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 10 000 milionë lekë.
Nga 1 janari 2026:
• Pensioni urban me vite të plota pune shkon në 40,000 lekë
• Pensioni rural në 18,000 lekë
• Pensioni i invaliditetit në 30,000 lekë
Rritja e pagave
Buxheti 2026 sjell rritje pagash për disa kategori në sektorin publik. Nga 1 janari 2026, paga minimale rritet në 50,000 lekë në muaj. Nga kjo masë përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar. Nga parashikimi afatmesëm pritet që paga të shkojë 60,000 lekë në vitin 2028 dhe 70,000 lekë deri në fund të mandatit qeveritar. Për herë të parë parashikohet indeksimi i pagave në administratën publike me 2.5%, duke i lidhur ato me inflacionin.
Lehtësira për familjet me fëmijë
Çdo familje që ka fëmijë nën 18 vjeç përfiton 48,000 lekë zbritje nga deklarata vjetore për çdo fëmijë. Efekti financiar do të jetë 15 milionë euro.
Mbështetje për fermerët
Fermerët përfitojnë kompensim të drejtpërdrejtë 10% të vlerës së mallit të shitur. Buxheti i vitit 2026 parashikon që 15 milionë euro të mbeten në duart e fermerëve, ndërsa në vitin 2027 kjo shifër do të dyfishohet në 30 milionë euro.
Investimet publike
Investimet kapitale mbeten të larta, duke arritur në 1.9 miliardë euro
Ndarja e buxhetit 2026 sipas sektorëve kryesorë
Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale: 853 milionë euro për rritje pagash, investime spitalore, programe sociale.
Infrastrukturë dhe Energjia: 800 milionë euro ku përfshin projekte rrugore, projekte hekurudhore dhe investime në energji
Arsimi: 680 milionë euro ku përfshin paga për mësuesit, investime në shkolla dhe projekte për modernizimin e arsimit
Mbrojtja: 610 milionë euro ku përfshin forcim të kapaciteteve ushtarake, përafrim me standardet e NATO-s dhe investime në pajisje dhe infrastrukturë ushtarake
/rtsh.al/