FEST 64 – Sihana Haxhinikaj zbulon mesazhin e veçantë të këngës “Horizont”

Këngëtarja Sihana Haxhinikaj, një prej zërave të rinj që do të ngjitet në skenën e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, ishte e ftuar këtë mëngjes në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ku ndau emocionet, përgatitjet dhe mesazhin e këngës së saj konkurruese “Horizont”.
Sihana tregoi se kënga e saj mbart një mesazh universal, që prek çdo njeri. “Horizont”, tha Haxhinikaj, është një këngë për njerëzit, humbjet dhe ringritjen.
“Horizont është një këngë që flet për njerëzit, për gjithë botën. E kam shkruar në anglisht dhe e kam punuar me Florent Boshnjakun dhe Eriona Rushitin. Kënga flet për mërzitjet, humbjet në jetë dhe ringritjen sërish në këmbë për të vijuar jetën. S’ka rëndësi sa herë rrëzohesh, por sa herë ringrihesh më i/e fortë”, deklaroi ajo.
Haxhinikaj shtoi se emocionet janë të mëdha ndërsa numërohen ditët drejt performancës në skenën e festivalit.
“Jam shumë e emocionuar për ngjitjen në skenë javën e ardhshme, por edhe shumë e lumtur. Do e këndoj këngën time para miliona teleshikuesve”, shtoi ajo.
Sihana zbuloi se ka një komunitet të gjerë që e mbështet edhe nga Australia, vend ku jeton prej vitesh.
“Kam një suport shumë të madh dhe në Australi. Ka shumë persona që më kanë mbështetur”, tha Haxhinikaj teksa theksoi se është veçanërisht e lumtur që do ta interpretojë këngën në gjuhën shqipe.
Florent Boshnjaku: Sihana, një talent që sapo ka nisur rrugëtimin
Kompozitori i njohur Florent Boshnjaku, pjesë e ekipit krijues të “Horizont”, foli me superlativa për Sihanën dhe bashkëpunimin e tyre.
“Sihana është një vajzë e talentuar dhe ka ardhur për Festivalin e Këngës në RTSH. Pasi na tregoi tekstin, u munduam të bëjmë më të mirën për të. Së bashku me Erionën kemi synuar të sjellim një këngë me një mesazh të fortë – që mbijetojnë ata që dashurojnë, që falin. Kjo është një temë globale”, tha ai.
Duke folur për performancën e pritshme, ai u shpreh se rrugëtimi i SIhanës sapo ka startuar, ndërsa thekson se përgjegjësia e tij dhe ekipit është ta sjellë atë në mënyrën më të mirë të mundshme në performancën në FEST64.
“Rrugëtimi i saj sapo ka filluar. Përgjegjësia jonë është ta sjellim Sihanën në mënyrën më të mirë të mundshme. Besoj se publiku do ta ndjejë këtë baladë. Stili i këngës na pëlqen shumë, dhe kjo sinergji do të shfaqet edhe në skenë”, deklaroi kompozitori.
Me një zë të veçantë, energji pozitive dhe një këngë me tematikë universale, Sihana pritet të jetë një prej zërave surprizë të këtij edicioni të FEST 64.
/rtsh.al/