90-vjetori i lindjes së Kadaresë, Spiropali: Ambasador i përhershëm i Shqipërisë europiane

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi ditën e sotme një ekspozitë të letërkëmbimeve të shkrimtarit të madh me personalitetet e mendimit në botë, botime të rralla të bibliotekës personale të shkrimtarit, artefakte dhe objekte autentike të “Shtëpisë Studio Kadare”.
Në fjalën e saj hapëse, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali nderoi siç tha ajo, luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane, atë që i dëshmoi botës, se në këto troje rron një popull europian në mish e në thua, që sa herë ka qenë i lirë ka zgjedhur Europën.
Ministrja vlerësoi se Kadare, pa rënë ende perdja e hekurt, i ftuar nominalisht nga Presidenti i Francës, François Mitterrand, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, mes 35 krerëve të shteteve dhe figurave më të rëndësishme të botës, ishte aty mes një grushti të vogël shkrimtarësh me përmasa botërore.
“Në këtë akt të fortë simbolik, bota perëndimore zgjodhi shkrimtarin që i fliste botës për ndërgjegjen historike dhe vlerat e thella të popullit të tij të mbyllur përkohësisht në një kafaz ideologjik”, theksoi ajo.
“Letra e dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, përmes mikut të tij, nobelistit Elie Wiesel, mbetet një nga aktet më domethënëse të kësaj diplomacie morale. Në një kohë kur në Shqipërinë komuniste, një letër e tillë mund të kushtonte edhe dënimin kapital, Kadare i drejtohej Presidentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, duke kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar për armiqësinë e imponuar nga regjimi komunist”, theksoi Spiropali.
“Diktatura nuk mundi më ta mbante të izoluar gjeniun. Kadare u bë fitorja e parë morale ndaj regjimit, rrëzimi i parë simbolik i murit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte zëri që parapriu ndryshimin, fjala që e bëri të mundshme Lirinë”, vuri në dukje kryediplomatja shqiptare.
Ministrja Spiropali shtoi se Kadare ishte me Kosovën në momentet e saj më vendimtare dhe dramatike.
“Letra që i nis delegacionit shqiptar në Rambuje me tone dashurie, lutje e qortimi është një ndër marrëdhëniet e tij në nivelet më të larta botërore: “ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj”. Janë të pafundme episodet e ndërhyrjeve vendimtare të Ismail Kadaresë për vendin e kombin e Tij. Dyzet e pesë gjuhët në të cilat janë përkthyer veprat madhështore të Kadaresë, dhe çmimet që mori, janë dhurata më e madhe që nga një bir i saj Shqipëria ka marrë”, deklaroi Spiropali.
Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës pranë MEPJ-së mori pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla.
1 nga 2