E Diel, 1 Nëntor 2026

97% e turistëve gjatë dhjetorit erdhën nga Europa

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Turistët nga Europa kryesuan hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri, gjatë muajit dhjetor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Referuar statistikave, në muajin dhjetor 97 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë nga kontinenti evropian.

Nga këta, 85 % e vizitorëve nga ky kontinent vijnë nga Evropa Jugore, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6 % dhe Evropa Veriore me 4 %, duke treguar një dominim të qartë të rajonit jugor të Evropës në flukset turistike drejt Shqipërisë.

Sipas INSTAT, 97 % e vizitorëve të huaj kanë hyrë për qëllime personale, duke shënuar një rritje prej 6,6 % krahasuar me dhjetorin 2024, ndërsa hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale janë rritur me 13 %, duke reflektuar interesin në rritje për aktivitete ekonomike dhe bashkëpunim profesional në vend.

Të dhënat e INSTAT theksojnë se flukset turistike ndërkombëtare vazhdojnë të jenë në rritje, ndërsa Shqipëria forcon pozicionin e saj si destinacion i preferuar për udhëtime personale dhe biznesi. Ky trend është i lidhur edhe me promovimin e destinacioneve turistike, përmirësimin e shërbimeve dhe mundësitë e reja për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›