Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave / Si funksionon formula? Sa është kompensimi që merret për çdo fëmijë?

Është hapur sistemi për të dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Të gjithë ata individë që gjatë vitit që lamë pas kanë pasur pagë bruto 100 mijë lekë në muaj ose 1.2 milionë lekë në vit, duhet të dorëzojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale (DIVA) për vitin 2025, brenda 31 marsit 2026.
Gjithashtu detyrimin për ta dorëzuar e kanë edhe të dypunësuarit si dhe personat që kanë të ardhura nga platformat online, si booking, airbnb, youtube, tiktok etj.
Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa.
Risia e këtij viti është njohja e shpenzimit prej 48 mijë lekësh nga baza e tatueshme për fëmijën nën 18 vjeç. Më konkretisht, një prind me pagë 100 mijë lekë në muaj, apo 1.2 milionë lekë në vit, që ka paguar 109.200 lekë tatim në vit, ka të drejtë të zbresë 360 mijë lekë, pra 30 mijë lekë për çdo muaj që është baza e patatueshme si dhe 48 mijë lekëshin. Pasi bën këto zbritje baza e tatueshme ulet në 792 mijë lekë. Pra tatimi ulet në 102.960 lekë. më pas diferenca midis tatimit vjetor të paguar dhe atij të rivlerësuar që është 6.240 lekë kthehet mbrapsht.

Njëjtë si në zbritjet për kompensimin e 48 mijë lekëshit do të funksionojë edhe zbritja e shpenzimeve arsimore. Por këtë kompensim e përfitojnë vetëm ato prindër që nuk kanë të ardhura më shumë se 1.2 milionë lekë në vit (100 mijë lekë pagë mujore bruto), si dhe do e përfitojnë vetëm nëse kanë të ruajtura faturat e shpenzimeve për arsimimin e fëmijës.
Nga të ardhurat vjetore prej 1.2 milionë lekësh ju zbritet 48 mijë lekëshi kompensim, 360 mijë lekë që është baza e patatueshme si dhe 100 mijë lekëshi për arsimin, dhe e ardhura vjetore ulet nga 1.2 milionë lekë në 692 mijw lekë, dhe si rezultat ulet edhe tatimi që duhet të kishit paguar. Diferenca në rastin konkret është në vlerën 19,240 lekë, që merret pas nga prindëri nëse ka ruajtur faturat tatimore.

Mësohet se të gjithë prindërit me pagë nga mbi 50 mijë lekë deri në 200 mijë lekë e që tatohen me 13%, do të marrin si kompensim nëse kanë një fëmijë 6,240 lekë, nëse kanë 2 fëmijë 12,480 Lekë dhe nëse kanë 3 fëmijë 18,720 Lekë. Për të gjithë ata që marrin mbi 200 mijë lekë në muaj dhe që tatohen 23%, kompensimi për fëmijë do të jetë nga 11 mijë lekë deri në 33.1 mijë lekë. Pra në asnjë rast prindërit nuk do të përfitojnë 48 mijë lekë kompensim.

Por përdorimi i kësaj formule, nga pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe jo vetëm nuk është kuptuar, dhe shumica kanë pritur që në të vërtetë do të përfitojnë 48 mijë lekë apo 480 euro kompensim për fëmijë. Por në fakt kompensimi është 6,240 lekë për fëmijë, nëse ke pagën nën 200 mijë lekë, dhe 11 mijë lekë për fëmijë nëse paga mujore bruto vjet ishte mbi 200 mijë lekë.