A do japin dorëheqjen Rubio dhe Hegseth? Vjen reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj raportimeve për një largim të mundshëm nga detyra të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, duke mohuar se presidenti Donald Trump po planifikon ndryshime në kabinet pas rezultatit të dobët të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, brenda administratës Trump janë shtuar diskutimet për riformatimin e kabinetit dhe përgjegjësinë që duhet të mbajnë zyrtarët e lartë për humbjen elektorale. Në këtë kontekst, emrat e Hegseth dhe Rubios janë përmendur si pjesë e diskutimeve për të ardhmen e administratës.
Vëmendja më e madhe është përqendruar te Pete Hegseth, ndaj të cilit janë ngritur kritika për mënyrën e drejtimit të luftës me Iranin. Kjo çështje është konsideruar si një prej faktorëve që mund të kenë ndikuar në dobësimin e mbështetjes për republikanët.
Presidenti Trump ka konfirmuar se ka marrë telefonata lidhur me të ardhmen e Sekretarit të Mbrojtjes, por ka bërë të qartë se për momentin nuk ka ndërmend ta largojë nga posti. Gjatë një deklarate publike të enjten, kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi performancën e tij, duke e cilësuar punën e Hegseth si fantastike.
Ndërkohë, pozita e kreut të Pentagonit është vënë në pikëpyetje edhe në Kongres. Kongresmeni republikan Thomas Massie ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme synon të paraqesë një rezolutë për shkarkimin e tij përmes procedurës së fajësimit. Sipas Massie, Trump duhet të ndërmarrë një ndryshim në drejtimin e Pentagonit përpara se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar.
Nga ana tjetër, Hegseth i ka kundërshtuar këto kërkesa, duke i konsideruar ato si përpjekje me motive politike, ndërsa ka mbrojtur vendimet dhe punën e tij në krye të Departamentit të Mbrojtjes.
Më ndryshe është situata për Marco Rubion. Ky i fundit ka mohuar pretendimet se mund të largohet nga posti i Sekretarit të Shtetit për t’u fokusuar në një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Në një intervistë për The New York Times, Rubio deklaroi se angazhimi i tij ka qenë që nga fillimi të shërbejë në administratën Trump deri në përfundim të mandatit të presidentit.
Edhe Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit kanë dalë kundër këtyre raportimeve, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Pavarësisht përgënjeshtrimeve zyrtare, e ardhmja e Pete Hegseth në krye të Pentagonit vijon të mbetet nën pikëpyetje. Humbja elektorale e republikanëve dhe kalimi i kontrollit të të dy dhomave të Kongresit te demokratët kanë shtuar presionin ndaj administratës Trump dhe kanë rikthyer në vëmendje mundësinë e ndryshimeve në kabinet.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

