UASHINGTON - Trump: SHBA-ja do të vendosë së shpejti nëse do të rifillojë luftën kundër Iranit - ATSH -
UASHINGTON, 6 nëntor /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi dje në mbrëmje se së shpejti do të vendosë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rifillojnë luftën kundër Iranit, sipas “Axios”.
Qëllimi i deklaruar i konfliktit, të nisur së bashku me Izraelin në shkurt, është të pengojë Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.
“A duhet të shkojmë më tej me sulmet, për t’u siguruar që programi bërthamor i Iranit të marrë fund dhe që kjo të mos ndodhë më kurrë?”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të preferoja të mos shkatërroja pjesën tjetër të vendit, nëse është e mundur, por ndoshta do të më duhet ta bëj këtë. Do ta merrni vesh shumë shpejt”, shtoi ai.
Pas një takimi me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin arritur gjithçka që donin të kontrollonin në lidhje me Iranin.
“Tani do të marrim një vendim”, tha ai.
Agjencia amerikane e lajmeve “Axios”, duke cituar një zyrtar amerikan, raportoi se Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) po shton masat për një rifillim të mundshëm të operacioneve të mëdha ushtarake në Iran.
Megjithatë, CENTCOM nuk ka marrë ende urdhra të rinj nga Uashingtoni.
Ndërsa Trump po shqyrton hapat e ardhshëm, ndërmjetësit kanë zhvilluar së fundmi disa vizita në Teheran për të zhvilluar bisedime.
Edhe vetë Trump ka folur ditët e fundit, për progres të mundshëm në negociatat që synojnë zgjidhjen e konfliktit. //a.i/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
