ABU DABI – Trump: SHBA i paraqiti Iranit një propozim formal gjatë bisedimeve bërthamore

ABU DABI, 16 maj /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë paraqitur një propozim formal Iranit në bisedimet bërthamore që po zhvillohen, tha sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, Trump tha se Irani ishte informuar për planin e SHBA-së – dhe se do të duhej të vepronte shpejt ose do të kishte pasoja negative.
Aktualisht, Uashingtoni dhe Teherani po negociojnë, ndërsa shteti i Gjirit, Omani, po ndërmjetëson bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të arrijnë një marrëveshje – për të kufizuar programin bërthamor të Iranit – në mënyrë që të parandalojnë Teheranin të prodhojë armë bërthamore.
Në këmbim, Teherani shpreson për një lehtësim të sanksioneve dhe një rimëkëmbje ekonomike.
Gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme, Trump shprehu optimizëm në lidhje me bisedimet në vazhdim, duke thënë se arritja e një marrëveshjeje ishte afër.
Në të njëjtën kohë, ai kërcënoi sërish me veprime të ashpra ushtarake kundër Iranit nëse të dyja palët nuk do të arrinin një marrëveshje – “në mënyrë të sjellshme”.
Në një fjalim në Riad, presidenti amerikan, Trump theksoi se gatishmëria e SHBA-së për të negociuar nuk do të zgjaste pafundësisht.
Në vitin 2015, Irani ra dakord të kufizonte programin e tij bërthamor sipas marrëveshjes bërthamore të Vjenës.
Megjithatë, në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga pakti dhe vendosi sanksione të reja e të ashpra.
Në përgjigje, Teherani gjithashtu ndaloi së zbatuari kufizimet e marrëveshjes. Ai tha se programi i tij bërthamor ishte vetëm për qëllime civile dhe jo për prodhimin e armëve bërthamore. //a.i/