E Martë, 3 Nëntor 2026

PD në protestë, Berisha: Forumi botëror i partive të qendrës së djathtë, u njoh me krimet elektorale të “11 majit”

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore protestoi sot pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në të njëjtën ditë kur edhe po zhvillohet samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

Mbështetës të Partisë Demokratike u grumbulluan në bulevardin “Zogu i Parë”, në kryqëzimin tek Ministria e Drejtësisë, pak metra larg sheshit “Skënderbej”, ku edhe po mbahet samiti i liderëve evropianë.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka tha për mediet se “krimi i organizuar ka ndikuar në tjetërsimin e rezultatit”.

“Misioni i PD nuk është pushteti, por shenjtërimi i votës në Shqipëri. Dilni takoni sot qytetarët, në 10 qytetarë, 7 thonë se kanë votuar PD-në”, tha Noka.

Drejtuesja Politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli në një prononcim për mediet tha se “është manipuluar vullneti i shqiptarëve”.

“Kam mbuluar diasporën, gjej një proces që është i cenuar në gjithë integritetin e tij. Berati ishte 90% për PS-në. Kjo nuk është normale. Pres që Greqia të dalë edhe 190% për PS-në! Unë jam përqendruar tek diaspora. Ka ndodhur që zgjedhësi nuk ka votuar vetë, por janë të tjerë që kanë votuar për të”, tha Topalli.

Gjatë protestës së Partisë Demokratike u shënuan dhe incidente verbale ndërmjet gazetarëve dhe zyrtarëve të opozitës.

Në lidhje me këto incidente ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili i bëri “thirrje urgjente zyrtarëve të Partisë Demokratike të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj gazetarëve në protestën e opozitës”.

Protestës së Partisë Demokratike iu bashkua edhe kreu i kësaj force politike, Sali Berisha. Ai iu bashkua tubimit 1 orë e 30 minuta pas fillimit të protestës, kjo pasi më herët ai ndodhej në Bruksel.

Në fjalën e tij para mbështetësve të PD-së, Berisha tha se mori mbështetjen e 87 partive politike “nga Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar, para të cilave paraqita sot masakrën elektorale”.

Sipas Berishës, zgjedhjet “u grabitën dhe u plaçkitën”. Sipas Berishës forumi botëror i partive të qendrës së djathtë, u njoh me krimet elektorale në zgjedhjet e 11 majit.

“U njoh dhe u denoncua botërisht përdorimi i qindra-milionë eurove për të blerë vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Dhurata 70 milionë euro për votën, falja e 200 milionë eurove të gjobave, mbi gjysmë miliard euro koncesione dhe prokurime. Pra, zgjedhjet në Shqipëri ishin farsa elektorale më e shëmtuar pas rënies së Perdes së Hekurt në Ballkan dhe Europë”, tha Berisha.

Protesta e opozitës u mbyll pas rreth 2 orësh nga nisja e saj.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›