ABU DABI – Trump: Shumë njerëz në Gaza po vuajnë nga uria

ABU DABI, 16 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot në Abu Dabi se situata në Gaza, ku banorët po vdesin urie do të zgjidhet, pas 19 muajsh lufte midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas.
“Ne jemi të interesuar për Gazën. Dhe do të sigurohemi që kjo të zgjidhet. Shumë njerëz po vuajnë nga uria”, u tha ai gazetarëve gjatë vizitës së tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndalesa e fundit e turneut të tij në Gji.
Trump nuk bëri komente të mëtejshme mbi këtë çështje.
Asnjë ndihmë humanitare nuk ka hyrë në territorin palestinez që nga 2 marsi, edhe pse kjo ndihmë është jetike për 2.4 milionë banorët e Gazës që jetojnë atje.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, shprehu shqetësim të enjten dhe tha se ishte i hapur për çdo ide të re për dhënien e ndihmës në Gaza, pasi një plan i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u kritikua ashpër./ /os/