AFA: Vendimi i Hagës nuk duhet të shndërrohet në gjykim të luftës së një populli për liri

PRISHTINË, 17 shtator/ATSH/ Albanians for America ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke nënvizuar se “nuk pajtohemi me këtë aktgjykim dhe e konsiderojmë të padrejtë ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”.
Për Albanians for America, një gjë duhet të mbetet e qartë: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe për mbrojtjen e popullit të Kosovës. UÇK-ja u ngrit në rrethanat e një regjimi represiv dhe të dhunshëm serb, kur qytetarët shqiptarë të Kosovës u përballën me vrasje, dëbime, shkatërrime dhe krime të rënda. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet.
“Ky aktgjykim nuk duhet të shndërrohet në një gjykim të luftës së një populli për liri, as të krijojë një ekuivalencë historike dhe morale ndërmjet luftës çlirimtare të Kosovës dhe aparatit shtetëror serb, i cili ushtroi dhunë dhe kreu krime mbi popullsinë civile. Gjërat janë të qarta, Serbia ishte agresore, Kosova ishte viktimë. AFA është me UÇK-në, me luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe me popullin e Kosovës. Kosova nuk ishte agresore në luftën e viteve 1998–1999, por një popull që luftonte për të mbijetuar dhe për të fituar lirinë nga represioni”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Më tej, AFA shton se ky aktgjykim nuk është fjala e fundit juridike.
Ai është aktgjykim i shkallës së parë dhe, sipas procedurave të Dhomave të Specializuara, palët kanë të drejtë ta apelojnë para Panelit të Apelit. Prandaj, procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.
Albanians for America shton se “do të vazhdojë ta mbrojë të vërtetën historike të luftës së Kosovës, të drejtën e popullit shqiptar për liri dhe dinjitet, si dhe partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës. Liria e Kosovës është e drejtë e popullit të saj dhe kjo e drejtë nuk gjykohet”.
/Kosovapress/