E Diel, 1 Nëntor 2026

“AJO Vrapon” më 8 Mars, nismë sensibilizuese për fuqizimin e gruas

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 Mars do të zhvillohet aktiviteti ndërgjegjësues “AJO Vrapon”, një nismë që synon promovimin e fuqizimit të grave, stilit të jetesës aktive dhe solidaritetit shoqëror.

Aktiviteti synon të nxisë reflektimin mbi rolin dhe kontributin e grave në shoqëri, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse ku komuniteti bashkohet përmes aktivitetit fizik dhe frymës së bashkëpunimit.

Organizatorët bëjnë të ditur se iniciativa ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe inkurajimin e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në aktivitete sportive, duke vënë theksin te rëndësia e një jetese të shëndetshme dhe aktive. Aktiviteti është i hapur për të gjitha grupmoshat dhe mirëpret familje, të rinj, sportdashës dhe qytetarë të interesuar për t’u bërë pjesë.

Maratona “AJO Vrapon” do të zhvillohet më 8 mars në Parkun e Liqenit Artificial, pranë zonës së “Vëllezërve Frashëri”, duke nisur nga ora 09:00.

Aktiviteti organizohet nga Tirana Running Club, ESD Albania dhe JDK Harmony, me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Tiranë, Bashkisë Tiranë dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR).

Dita Ndërkombëtare e Gruas, që shënohet çdo vit më 8 Mars, është një ditë globale që vlerëson arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave, si dhe shërben si thirrje për avancimin e barazisë gjinore. Kjo ditë e ka zanafillën në fillim të shekullit XX, në lëvizjet e grave punëtore për të drejta më të mira pune dhe barazi sociale.

Në vitin 1975, Organizata e Kombeve të Bashkuara e njohu zyrtarisht 8 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ndërsa sot ajo shënohet në mbarë botën përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese, sociale dhe kulturore që promovojnë të drejtat dhe fuqizimin e grave.

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›