E Hënë, 2 Nëntor 2026

AKKSHI mbështet doktoraturat për kërkimin shkencor, afati i aplikimeve deri në 15 tetor

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi sot se për herë të parë do të ketë një program në mbështetje të studimeve të doktoraturës nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Ministria Kumbaro u bëri një thirrje të gjithë atyre që janë në rrugëtimin e doktoraturës dhe që po kërkojnë mbështetje për kërkimin shkencor, të aplikojnë për të përfituar nga programi i dedikuar i AKKSHI-së.

Sipas Kumbaros, “programi synon të fuqizojë kërkimin, të mbështesë inovacionin dhe të krijojë ura bashkëpunimi me diasporën tonë akademike dhe universitetet më të mira të Bashkimit Evropian, OECD apo G20”.

Afati i fundit i aplikimit është data 15 tetor, ndërsa si fusha prioritare janë biodiversiteti dhe mjedisi, bujqësia, ushqimi dhe bioteknologjia, shëndetësia dhe Shkencat Mjekësore, teknologjitë e informacionit, shkencat sociale dhe Albanologjia, uji dhe energjia.

Ky program i kërkimit shkencor administrohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për vitin 2025. Disa nga objektivat e “Programit të Doktoratës” janë nxitja dhe lehtësimi i  kërkimit shkencor gjatë studimeve te doktoratës, nxitja e kërkimeve që adresojnë sfidat e zhvillimit teknologjik, si edhe lehtësim i kërkimeve shkencore nëpërmjet zhvillimit të proceseve kërkimore në bashkëpunim me universitetet e një nga vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kohëzgjatja e financimit është për një periudhë jo më pak se një vit dhe jo më shumë se pesë vjet. Buxheti i AKKSHI-t në dispozicion të kësaj thirrje për vitin 2025, është deri në 500 000 për çdo kandidat.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›