Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Pirdeni takim me përfaqësues të ILDKPKI dhe partnerë evropianë

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe përfaqësues të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), diskutuan sot mbi projektligjin “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.
Ministrja Pirdeni tha se gjatë këtij takimi u morën sugjerime nga institucionet publike, biznesi dhe shoqëria civile lidhur me këtë projektligj.
“Ky projektligj, pjesë e procesit të përafrimit me BE-në, synon të forcojë integritetin dhe llogaridhënien përmes forcimit të mbrojtjes së sinjalizuesëve, në funksion të rritjes së raportimit të praktikave të paligjshme”, tha Pirdeni.
Ky projektligj synon të përmirësojë dhe të përafrojë më tej kuadrin ligjor shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, në përputhje me kërkesat e Direktivës të Parlamentit dhe Këshillit Evropian mbi mbrojtjen e personave që raportojnë shkelje të së drejtës së BE-së.
Hartimi i një projektligji të ri për sinjalizimin përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së individëve që raportojnë shkelje në vendin e punës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se qëllimi kryesor është krijimi i një mjedisi më të sigurt dhe transparent, ku sinjalizuesit dhe personat e lidhur me ta të mbrohen nga çdo formë hakmarrjeje, duke kontribuar në rritjen e integritetit institucional dhe në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
/e.i/j.p/