AKMC: Shuhen 18 vatra zjarri në 12 bashki të vendit gjatë 24 orëve të fundit

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 vatra zjarri në 12 bashki: Vlorë, Sarandë, Ksamil, Delvinë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Tiranë, Kavajë, Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Elbasan.
Sipas AKMC-së, të gjitha vatrat janë arritur të shuhen dhe nuk ka dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë. Megjithatë zjarret kanë djegur rreth 35,9 ha sipërfaqe, kryesisht me shkurre dhe barishte.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 266 forca operacionale, 35 automjete zjarrfikëse dhe një helikopter “Cougar” i Forcave të Armatosura.
Në kuadër të përballimit të situatës së zjarreve në jug të vendit, Forca Ajrore ka intensifikuar monitorimin ajror me dronë, duke garantuar vëzhgim të pandërprerë ditën dhe natën mbi zonat më të rrezikuara nga flakët.
I gjithë mekanizmi i Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror mbetet i angazhuar dhe në ndjekje të situatës.
Gjithashtu, mëngjesin e sotëm u raportuan dy lëkundje tërmeti: e para me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter, me thellësi 15 km dhe epiqendër në Fushë-Krujë, Durrës dhe e dyta me magnitudë 3.8, thellësi 15 km, me epiqendër në Zall-Herr, Tiranë. Nuk ka dëme në njerëz apo ndërtesa.
Për ditën e sotme, bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave parashikohen reshje shiu lokalisht të dobëta në qarqet: Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Korçë.
Ndërsa sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “i lartë” në qarkun Fier, nivel rreziku “i moderuar” në qarqet e tjera.
AKMC dhe Ministria e Mbrojtjes ftojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm në këto ditë me temperatura të larta dhe të raportojnë në kohë reale pranë institucioneve vendore.
/k.s//r.e//a.f/