Noka paraqitet në SPAK: Taskforca për krimin elektoral vdiq atë ditë që u krijua

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Pas paraqitjes në SPAK, në një prononcim për gazetarët, Noka tha se ishte për të dëshmuar për një sërë çështjesh që lidhen me krimet zgjedhore.
“Isha këtu për denoncimet që kemi bërë në fushatë elektorale. Dhe taskforca, e cila u ngritur për të hetuar krimin elektoral, na rezulton që vdiq pa u ngritur akoma. Deri më tani, krimi elektoral që na u premtua se në janar të vitit 2025 do të fillonte ndëshkimin ndaj tij, sot është duke i bërë karshillëk edhe godinës së SPAK-ut”, tha Noka.
Sipas Nokës, sot krimi elektoral është më i institucionalizuar se kurrë. Noka tha se ka një sërë kallëzimesh e referimesh që opozita ka paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për krimet zgjedhore në të gjithë vendin.
“Sot krimi elektoral është ai që ka vendosur fatin e votës së shqiptarëve. Janë dhjetëra raste kallëzimesh dhe referimesh që PD dhe opozita kanë paraqitur te ‘Skapi i partisë’, duke nisur që nga Durrësi, Vora, Elbasani, Shkodra, Fieri, Vlora dhe gjithë Shqipëria. Ne nuk jemi organ hetimor. Organi hetimor presupozohet të ishte ky që është këtu mbrapa”, u shpreh Noka.
Noka shtoi se “konstatova që taskforca elektorale për krimin zgjedhor, kishte vdekur atë ditë që ishte krijuar”.
/m.q//a.f//r.e/