AKMC, bashkëpunim me Francën për menaxhimin e emergjencave civile

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mirëpriti një delegacion francez të përfaqësuesve të Kursit të Studimeve të Larta të Ministrisë së Brendshme të Francës (IHEMI), në kuadër të sesionit të 36-të me temë “Siguria dhe Drejtësia”.
Delegacioni, i kryesuar nga Nënkoloneli i Xhandarmërisë Jean-Stephan Nogue, Shef i Departamentit të Sigurisë dhe Drejtësisë, përfshinte ekspertë të fushave të rendit publik, magjistraturës, qeverisjes vendore, sistemit penitenciar, emergjencave civile dhe shërbimit zjarrfikës francez.
Gjatë vizitës, sipas njoftimit të AKMC, ata u njohën me organizimin dhe funksionimin e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri, kuadrin ligjor për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë, strukturat operacionale dhe mekanizmat e reagimit emergjent në të gjitha nivelet administrative.
Në vijim të aktivitetit, delegacioni vizitoi ambientet e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, ku u prezantuan aspektet teknike dhe procedurat e ndërhyrjes në kohë reale.
AKMC thekson se, ky shkëmbim përbën një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve dhe në promovimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërinstitucional në fushën e menaxhimit të emergjencave civile.
1 nga 13/a.f/